
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka reaguar në platformën "X" për të përgëzuar performuesin izraelit Noam Bettan për vendin e dytë në Festivalin e Këngës Eurovision në Vjenë dhe ka kritikuar Spanjën dhe vende të tjera evropiane që protestuan kundër pjesëmarrjes së Izraelit në event, shkruan A2CNN.
Në një postim të shkruar në hebraisht dhe spanjisht, Katz shprehu urimet “në emër të establishmentit të mbrojtjes dhe ushtarëve” të ushtrisë izraelite, duke e cilësuar vendin e dytë të Bettan si një përgjigje të suksesshme ndaj asaj që ai e quajti “fushatë nxitjeje dhe shpifjeje”, të udhëhequr nga kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe aleatët e tij ndërkombëtarë.
Spanja, një nga vendet e grupit “Big Five” që kontribuojnë financiarisht në Eurovision, ishte pjesë e bojkotit të transmetimit së bashku me Irlandën, Holandën, Slloveninë dhe Islandën.
Transmetuesit publikë kombëtarë të këtyre vendeve refuzuan të transmetonin spektaklin ose të dërgonin konkurrentë, duke kundërshtuar vendimin e Unionit Evropian të Transmetimeve për të lejuar Izraelin të merrte pjesë pas luftës së tij në Gaza, të cilën kritikët e kanë cilësuar si gjenocid.
Mes bojkotit dhe demonstratave të publikut gjatë gjysmëfinales dhe finales live, kënga “Michelle” e Bettan u rendit pas këngës fituese nga Bullgaria. (A2 Televizion)