Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vijojnë të tensionohen, jo vetëm në aspektin tregtar, por edhe në atë ushtarak. Shtimi i bashkëpunimit ushtarak mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij në Azi, si Tajvani dhe Filipinet, ka nxitur reagime të ashpra nga Pekini.
Në mars të këtij viti, Tajvani mori 66 avionë luftarakë F-16 të prodhuar në SHBA, si pjesë e marrëveshjeve të mbrojtjes mes dy vendeve. Ndërkohë, Filipinet kanë paraqitur kërkesën për të marrë avionë të ngjashëm nga SHBA. Këto veprime janë cilësuar nga Kina si provokime dhe “standard i dyfishtë”, pasi prekin drejtpërdrejt politikën e saj për "një Kinë të vetme".
Autoritetet kineze kanë akuzuar SHBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit, duke theksuar se do të marrin "masa vendimtare" për t’iu kundërpërgjigjur këtyre kërcënimeve. Uashingtoni, nga ana tjetër, mbetet i vendosur në mbështetjen ndaj Tajvanit dhe aleatëve të tij rajonalë, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se marrëdhëniet mes Kinës dhe Tajvanit janë të tensionuara që nga fundi i luftës civile kineze, kur nacionalistët u tërhoqën në ishull pas fitores së komunistëve në kontinent. Kina e konsideron Tajvanin si një “provincë rebele”, ndërsa Tajvani qeveriset në mënyrë të pavarur. Në rast konflikti, SHBA ka lënë të kuptohet se mund të ndërhyjë në mbrojtje të Tajvanit. (A2 Televizion)