Më shumë se 400 persona janë vrarë në sulmet e fundit të forcave paraushtarake RSF në rajonin e Darfurit në Sudan, sipas Kombeve të Bashkuara.
RSF ka ndërmarrë një ofensivë të ashpër tokësore dhe ajrore mbi kampet e refugjatëve përreth qytetit El-Fasher, për të marrë nën kontroll zonën e fundit të Darfurit që ndodhet ende në duart e ushtrisë sudaneze.
Sipas OKB-së, vetëm midis ditës së enjte dhe të shtunë janë verifikuar 148 viktima, ndërsa numri total mendohet të jetë shumë më i lartë. Të paktën nëntë punonjës humanitarë janë mes të vrarëve.
Kampet si Zamzam dhe Abu Shouk, ku strehohen mbi 700,000 persona, përballen me kushte të ngjashme me urinë masive.
RSF ka mohuar se ka shënjestruar civilë dhe ka akuzuar ushtrinë sudaneze për përdorimin e civilëve si mburojë njerëzore.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë mblidhen sot në Londër, në përvjetorin e dytë të luftës civile në Sudan, për të diskutuar mundësitë e paqes. Mbretëria e Bashkuar njoftoi një paketë ndihme prej 120 milionë paundësh për ushqim dhe ndihmë emergjente. (A2 Televizion)