“Jam Presidenti i Venezuelës, një njeri i mirë dhe nuk pranoj fajin”.
Kështu Nikolas Maduro u paraqit për herë të parë në Gjykatën e Nju Jorkut, ku u njoh me aktakuzën e tij me katër akuza kryesore: përfshirje në narkoterrorizëm dhe posedim të armëve dhe pajisjeve shkatërruese.
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës doli para trupës në Manhatan i veshur me një bluze ngjyrë blu, me pantollona burgu ngjyrë portokalli, këmbët e prangosura, ndërsa u pa në sallë teksa mbante shënime, shkruan A2.
Ngjashëm veproi edhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores. Nicolas Maduro iu prezantua gjyqtarit Alvin Hellerstein në spanjisht. Ai shtoi se ishte në sallën e gjyqit “i rrëmbyer”, jo me vullnet të lirë. “U kapa në shtëpinë time në Karakas”, tha Maduro, sipas asaj që raportojnë mediat amerikane.
Avokati mbrojtës, i njëjti që mbrojti themeluesin e Wikileaks, tha se klienti i tij nuk po kërkon të lirohet me kusht, por mund ta bëjë këtë në një kohë të mëvonshme. Ai dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, kanë kërkuar një vizitë konsullore në burg. Nicolas Maduro ka “probleme shëndetësore”, tha avokati i tij Barry Pollack, duke shtuar se edhe gruaja e Maduros ka probleme pasi ka pësuar një frakturë pas operacionit ushtarak amerikan.
Momenti më i tensionuar erdhi në fund të seancës gjyqësore, kur një anëtar i publikut filloi t’i bërtiste në spanjisht Maduros se ai do të “paguante” për atë që kishte bërë. Ish-presidenti u kthye nga ai dhe iu përgjigj në spanjisht se ai ishte një “president i rrëmbyer” dhe një “i burgosur lufte” përpara se të shoqërohej jashtë i prangosur me zinxhirë në këmbë. Anëtarit të publikut, i cili po qante, iu kërkua të largohej nga gjykata.
Gjykatësi i Qarkut të Manhattan, Alvin Hellerstein, ka caktuar seancën e radhës në çështjen kundër Maduros, më 17 mars. Në kohën kur u mbajt seanca, jashtë Gjykatës ishin mbledhur mbështetës të Maduros dhe protestues kundër tij. Në të njëjtën kohë u mbajt edhe një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të mbrojtën veprimin e tyre duke konfirmuar se nuk është një pushtim, por thjeshtë kapën një të kërkuar të drejtësisë për trafik droge.
Rusia dhe Kina lëshuan kritika të ashpëra duke pretenduar se Amerika bëri një sjellje banditeske dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të Maduros. (A2 Televizion)