Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencë për Matajn, avokati: Do t’i drejtohemi SPAK, vjedhja ka kaluar 3.6 miliardë lekë

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2026, 10:54 | Kronikë

Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencë për Matajn, avokati: Do

Pasi Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën për Elisabeta Matajan dhe ia kaloi çështjen GJKKO-së, ka reaguar avokati i familjes i ish-drejtoreshës së Postës.

Në një deklaratë për mediat avokati i Matajt deklaroi se në seancë kishte kërkuar zëvendësimi i masës së arrestit në shtëpi me një masë më të lehtë. Ai e cilësoi zhvillimin e seancës pa praninë e prokurorit si shkelje të ligjit, duke kundërshtuar edhe mënyrën se si gjykata mori vendimin për moskompetencë.

“Kërkuam zëvendësimin e masës së arrestit në shtëpi me një masë më të lehtë. Në seancë mungoi prokurori, në shkelje të hapur të ligjit. Seanca nuk ishte e rregullt, pasi seanca nuk mund të zhvillohet pa prokurorin dhe gjykata u mjaftua me shkresë dhe mori vendim për moskompetencë. Ne e kundërshtuam, se do të duhej të ishte prokurori për një vendim moskompetence. Është antiligjore, si edhe seanca sot që nuk mund të bëhet pa prokurorin. Nuk kemi asnjë akt të njoftuar në rastin konkret që, pavarësisht se shpall moskompetencën, do të duhet të verifikohet de jure që e ka regjistruar këtë procedim”.

Ai njoftoi se do t’i drejtohen SPAK-ut për të mësuar ecurinë e procedimit në këtë fazë.

“Ne do të shkojmë në SPAK dhe do të shohim zhvillimet se ku është procedimi në këtë fazë”.

Avokati tha se vlera e vjedhjes ka kaluar 3.6 miliardë lekë dhe se skema ka funksionuar prej vitesh, me përfshirjen e disa personave me mbështetje politike. Ai akuzoi Prokurorinë e Durrësit se ka ndjekur rrjedhën e grupit kriminal dhe i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të thellojë verifikimet për fondet e tërmetit, të cilat, sipas tij, kanë kaluar përmes Postës Shqiptare.

“Në dijeninë time, falë meritës së Etjen Xhafës që bëri revizionimin dhe bëri një punë të plotë, jo si revizioni i parë që e bëri për 3 muaj. Mbetet të shihet që revizionimi të shkojë deri në momentin që në Postën Shqiptare ka hyrë sistemi Eterna dhe të bëhet gjithë revizioni kontabël. I bëj thirrje KLSH-së që ka qenë sehirxhi deri tani. KLSH ka kontrolluar Bashkinë Durrës dhe ka kontestuar shkelje. Të gjithë lekët e tërmetit kanë kaluar përmes Postës Shqiptare. Është ai grup kriminal që drejtonte postën dhe në momentin që Mataj erdhi, ajo është dëshira e tyre dhe e implikuan. Prokuroria e Durrësit ndoqi rrjedhën e grupit kriminal. Vjedhja ka shkuar mbi 3.6 miliardë dhe grupi ka punuar prej vitesh. Janë shumë persona me SHK, me tatimet, të ardhurat e vjedhura dhe shumë të tjera. Grupi me mbështetje politike që drejtonte vjedhjet nuk u mjaftua vetëm me puçin që i bëri Elisabeta Matajt, duke e futur në burg, ku, për turp të të gjithëve, nëna e 6 kalamajve rrinte në burg dhe të tjerët rrinin në arrest shtëpie dhe përpunonin provat”.

Sipas tij edhe arrestimi i burrit të Elisabeta Matajt është pa prova dhe shpërdorim i pastër detyre nga ana e prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit.

“Arrestimi i burrit të saj është vepër penale, shpërdorim i pastër detyre nga ana e prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit. Nuk mund të arrestohet e procedohet një njeri pa pasur prova”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos