E konsideruar gjithmonë si vajza sekrete e Vladimir Putin, ajo ka thyer heshtjen për liderin rus për herë të parë me disa postime misterioze në mediat sociale. Elizaveta 22 vjeçe, e njohur edhe si Luiza, aludon në komente për “babanë” e saj teksa ankohet për një burrë që i “shkatërroi” jeten dhe zbulon edhe ndjenjat për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Një grua që mendohet të jetë vajza e paligjshme e Presidentit rus Vladimir Putin i ka bërë një qortim të dukshëm babait të saj, duke iu referuar një personi të paidentifikuar "i cili mori miliona jetë dhe shkatërroi të miat".
Elizaveta Krivonogikh besohet të jetë vajza e liderit rus dhe Svetlana Krivonogikh, një pastruese me të cilën thuhet se ai ka pasur një aferë në fillim të viteve 2000. Svetlana më pas është bërë aksionare në Bank Rossiya dhe në vitin 2020 pasuria e saj vlerësohet të ketë qenë 100 milionë dollarë.
Në postimet e publikuara në një kanal privat në Telegram, Elizaveta, 22 vjeç, publikoi një selfie të saj në një makinë së bashku me mbishkrimin: “Është çliruese të jem në gjendje t’ia tregoj përsëri fytyrën time botës. Më kujton se kush linda të isha dhe që më shkatërroi jetën. Burri që mori miliona jetë dhe që shkatërroi timen.”
Postimet u raportuan nga gazeta gjermane Bild, e cila kishte qasje në kanalin Telegram të quajtur “Arti i Luizës”. Putin nuk përmendet si objektivi i zemërimit të Krivonogikh, tha gazeta, por konteksti duket se tregon se ajo po i referohet atij.
Vitin e kaluar u zbulua se Elizaveta jetonte në Paris nën mbiemrin Rudnova dhe punonte në një galeri që shfaqte vepra nga kundërshtarët e luftës në Ukrainë.
Pretendimet rreth identitetit të saj u bënë nga Nastya Rodionova, një artiste moskovite e cila u largua nga Rusia kur Putini nisi pushtimin e tij të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Rodionova i ndërpreu lidhjet me galerinë duke thënë se ishte "e papranueshme" që një anëtar i familjes Putin të punonte në një vend të tillë.
Elizaveta, e cila ka qenë kryesisht joaktive në mediat sociale që nga shkurti i vitit 2022, mbrojti qëndrimin e saj, duke thënë: “A jam vërtet përgjegjëse për aktivitetet e familjes sime, të cilët as nuk më dëgjojnë?” Përpara se të ndiqte një qasje më private në mediat sociale, Elizaveta postonte shpesh për atë që dukej të ishte një jetë luksoze, duke udhëtuar botën me avionë privatë dhe duke veshur rroba firmato.
Në vitin 2021, besohet se ajo ka luajtur si DJ në Rovesnik, një bar në Moskë. Gjatë festës, gazetarët raportuan siguri të shtuar dhe praninë e agjentëve anti-ekstremizëm. Edhe pse bari e mohoi pretendimin, ai kishte reklamuar se një "vajzë misterioze nga kryeqyteti verior" do të vinte për të performuar. (A2 Televizion)