Merr detyrën më 1 tetor, Mark Rutte zgjidhet shef i ri i NATO-s

Nga Xhevahir Qardaku
26 Qershor 2024, 11:25 | Bota

Aleatët e NATO-s e kanë zgjedhur kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.

Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.

“Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, tha NATO-ja në një deklaratë.

Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut, tha ajo.

Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos