Ushtria e Ukrainës shkatërroi një sistem raketor anti-ajror rus me vlerë 10 milionë dollarë (7.9 milionë £), tha ministri i brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko.
Sipas mediave të huaja, në një postim në Telegram, Klymenko tha se luftëtarët në një njësi dronesh të Gardës Kombëtare të Ukrainës kryen goditjen në sistemin rus BUK-M1.
“Pajisjet e armikut u shkatërruan plotësisht me një goditje precize”, tha ai, duke shtuar: “Kostoja e një kompleksi të tillë arrin në 10 milionë dollarë amerikanë... ne e bëjmë armikun më të dobët çdo ditë”.
Ministri nuk tha se kur ndodhi sulmi dhe nuk dha detaje të tjera shtesë, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se me zgjedhjen e Donald Trump si President i SHBA-ve, sulmet e ndërsjellta Rusi-Ukrainë janë intensifikuar, me qëllim që të gjenden në pozita sa më të favorizuara në bisedimet e paqes, të premtuara nga Trump. (A2 Televizion)