Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i është përgjigjur kancelarit të Gjermanisë, i cili tha se aleatët perëndimorë kanë hequr kufizimet e rrezes së veprimit për armët e furnizuara Ukrainës.
Sipas mediave të huaja, Lavrov kritikoi udhëheqësit evropianë dhe tha se ky veprim ilustron nivelin e kompetencës së atyre që janë ngritur në pushtet në Evropë.
Ai gjithashtu tha që vendimi ishte marrë shumë kohë më parë, por ishte mbajtur sekret, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se SHBA-të nën drejtimin e Presidentit Joe Biden lejuan Ukrainën të niste sulme ajrore në territorin rus vitin e kaluar, të cilat u ndoqën nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Vendimi ishte publik në atë kohë.
Merz i ka tërhequr disi komentet e tij të djeshme, duke thënë sot se po fliste për një vendim të marrë muaj më parë.
Lavrov drejtuar Evropës: 'Ndaloni sabotimin e rrugës drejt paqes'
Lavrov vazhdoi me kritikat e tij ndaj Evropës, duke e akuzuar atë se po përpiqet të prishë procesin e negociatave për t'i dhënë fund luftës.
"Nëse lufta ndalet, karrierat e tyre politike do të mbarojnë, ata po i vënë interesat e tyre personale mbi njerëzit e tyre", tha ai, shkruan A2 CNN.
Por duke iu drejtuar Donald Trump, Lavrov përdori një ton të ndryshëm.
“Trump dëshiron rezultate dhe kur sheh se përpjekjet e tij po sabotohen nga evropianët, sigurisht që retorika e tij ndryshon”, shtoi ai.
"Por nuk duhet të shohim retorikën që i duhet Evropës, për të ndaluar sabotimin e rrugës drejt paqes", vijoi Lavrov.
Siç kemi raportuar, Rusia ka shtuar sulmet e saj ajrore ndaj Ukrainës. Sulmi më i madh ajror i luftës u ndërmor ditët e fundit.
Kjo e shtyu Trumpin ta përshkruante përshkallëzimin e sulmeve nga Putini si "të çmendur".
Komentet e Lavrovit synojnë qartësisht ta mbajnë presidentin amerikan në gatishmëri.
(A2 Televizion)