Dronët ukrainas shënjestruan Moskën për të dytën natë radhazi, duke detyruar mbylljen e përkohshme të 4 aeroporteve të kryeqytetit rus. Siç bënë më dije autoritetet, aeroportet u mbyllën për disa orë për të garantuar sigurinë por më pas u rihapën.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin, tha në rrjetet sociale se të paktën 19 dronë ukrainas ishin shkatërruar para se arrinin qytetin nga drejtime të ndryshme. Sipas tij, mbetje të dronëve kishin rënë në një prej autostradave kryesore të qytetit por nuk kishte viktima.
Edhe guvernatorë të qyteteve të tjera ruse, përfshirë Penza dhe Voronezh raportuan sulme me dronë, ndërkohë ushtria bëri me dije se kishin rrëzuar më shumë se 100 të tillë nga mbrojtja ajrore në të gjithë vendin.
Një natë më parë ministria e mbrojtjes në Moskë tha se kishin shkatërruar 26 dronë të Ukrainës.
Gjithashtu kryebashkiaku i qytetit ukrainas të Harkivit, njoftoi se Rusia kishte ndërmarrë sulme me dronë gjatë natës, duke shkatërruar një treg që u përfshi nga flakët. Nuk u kursye as kryeqyteti Kiev, ndërsa guvernatori I rajonit të Odesës Oleh Kiper, tha se një person kishte mbetur i vrarë atje.. Sulmet vijnë pas raportimeve për përpjekje të reja nga trupat ukrainase për të hyrë në rajonin e Kurskut ne rusi ku siç thuhet janë vrarë 3 persona. Në prill Moska tha se kishte marrë kontrollin e plotë të rajonit, por Kievi këmbëngul se vazhdon te këtë prani trupash atje. Po ashtu, vala e dronëve mbi Moskë vjen pak ditë para paradës madhështore të 9 majit, kur Moska shënon fitoren ndaj nazizmit. (A2 Televizion)