Qeveria izraelite ka miratuar një ofensivë të madhe tokësore në Gaza, me qëllim shkatërrimin e Hamasit dhe marrjen nën kontroll të një pjese të territorit. Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se operacioni do të jetë ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme dhe se forcat izraelite do të qëndrojnë në zonat e pushtuara. Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi se do të shmangë hyrjen në zonat ku besohet se ndodhen pengjet, për të mos rrezikuar jetët e tyre.
"Ne do të nisim një operacion masiv në Gaza. Për të mposhtur Hamasin dhe për të liruar pengjet. Do të ketë një lëvizje të popullsisë për t'i mbrojtur ata. Këtë herë ushtria nuk do të hyjë dhe dalë nga Gaza si në të kaluarën, forcat rezervë do të mobilizohen për të qëndruar në territorin e pushtuar ", tha Netanjahu.
Përpara nisjes së ofensivës, Izraeli ka paralajmëruar një evakuim masiv të civilëve nga veriu dhe qendra e Gazës drejt jugut, ku do të ndërtohen struktura strehimi dhe do të shpërndahet ndihmë humanitare.
"Plani për zgjerimin e operacionit në Gaza është i gjerë, por ende i kufizuar: ai përjashton në mënyrë të qartë zonat ku besohet se ka pengje. Ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në ato zona. Faza e re do të përfshijë mbi të gjitha kalimin nga bastisjet në marrjen e kontrollit të pjesëve të territorit (por jo të të gjithë Rripit), pastrimin e tuneleve, nga të cilat vetëm një e katërta është neutralizuar deri më tani”, shpjeguan zyrtarët.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili pritet të vizitojë vendet e Gjirit, ka dhënë mbështetje për ndihmat. "Ne do t'i ndihmojmë ata të marrin ushqim. Ata janë të uritur", konfirmoi Trump, duke drejtuar gishtin nga Hamasi, i cili sipas tij "i trajton shumë keq".
Shefi i Shtabit, Eyal Zamir, e bëri të qartë se nuk do të ketë kthim në nivelet e mëparshme prej rreth 650 kamionësh në ditë, por vetëm mallrat thelbësore do të furnizohen nën kontroll të rreptë, dhe përsëriti se IDF nuk do të marrë pjesë në shpërndarje.
Ndërkohë, avionët izraelitë dhe amerikanë kanë bombarduar portin e Hodeidës në Jemen, si përgjigje ndaj një sulmi me raketë të rebelëve Huthi që goditi aeroportin e Tel Avivit. Irani ka mohuar çdo përfshirje në sulmet e Huthëve, duke i quajtur akuzat "të pabaza".
Në Izrael, protestat janë shtuar, veçanërisht nga familjet e pengjeve, të cilat kërkojnë ndaljen e ofensivës dhe rikthimin e të dashurve të tyre.
Situata mbetet shumë e tensionuar, ndërsa operacioni ushtarak pritet të fillojë pas përfundimit të vizitës së Trump në rajon më 16 maj. (A2 Televizion)