Kryeministrja italiane Giorgia Meloni akuzoi aleatin e saj të ngushtë Donald Trump se kishte sajuar një histori rreth saj, pasi Presidenti i SHBA-së i tha një kanali televiziv italian se ajo i ishte "lutur" atij të bënte një foto me të në një samit të G7. Meloni tha se ishte "e habitur" nga komentet e tij, të cilat ishin "krejtësisht të sajuara". Ajo e akuzoi atë se po vepronte me shumë më tepër respekt ndaj armiqve të Perëndimit sesa ndaj aleatëve të vjetër dhe të vendosur.
“Disa gjëra meritojnë një përgjigje të menjëhershme. Këto deklarata janë plotësisht të sajuara, jam e shokuar. Nuk e di pse sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij, është për të ardhur keq që nuk ka të njëjtën vendosmëri me armiqtë e Perëndimit. Por ai duhet të kujtojë një gjë: unë dhe Italia nuk lypim kurrë”, tha Meloni, përcjell A2 CNN.
Shkëmbimi i fundit i akuzave shënon një përkeqësim të ndjeshëm të lidhjeve, që vjen vetëm disa ditë pas shenjave në samitin e G7 se dy udhëheqësit e krahut të djathtë kishin stabilizuar një marrëdhënie të tendosur më parë pas tensioneve të këtij viti për shkak të luftës në Iran.
Videoja nga eventi në Francë tregoi Melonin dhe Trumpin të zhytur në bisedë, por udhëheqësi i SHBA-së sugjeroi se ai thjesht e kishte kënaqur atë duke biseduar me të.
"Ajo ndoshta është e lumtur që fola me të. Nuk më është dashur të flas me të", citohet të ketë thënë Trump nga kanali televiziv La7 në një intervistë të shkurtër, pasi ai vetë e pyeti gazetaren për kryeministren e Italisë. "Ajo më luti të bëja një foto me të. Ajo donte shumë një foto me mua. Unë nuk do ta kisha bërë, por më erdhi keq për të", tha Trump, sipas përkthimit të La7. Kanali nuk e publikoi audion origjinale, vetëm një version të dubluar.
Meloni dikur ishte një mbështetëse e zëshme e Trump dhe e vetmja udhëheqëse evropiane që mori pjesë në inaugurimin e tij në vitin 2025.
Megjithatë, ajo më vonë e kritikoi presidentin e SHBA-së për sulmin ndaj Papa Leos për dënimin e tij të konfliktit me Iranin, duke u distancuar nga Trump pas fillimit të luftës. Kjo shkaktoi një qortim të hapur nga udhëheqësja e SHBA-së, e cila e akuzoi atë për mungesë guximi. (A2 Televizion)