Izraeli i ka paraqitur Hamasit një propozim të përditësuar për një marrëveshje për të liruar disa nga 100 pengjet të cilët mbahen ende në Gaza dhe për të filluar një armëpushim. Kështu shkruan mediat izraelite duke cituar dy zyrtarë izraelitë. Korniza e përditësuar për marrëveshjen - shkruan portali - nuk ndryshon dukshëm nga propozimi i negociuar në gusht. Por fokusi është në përpjekjen për të zbatuar kryesisht fazën e parë të asaj marrëveshje me disa modifikime, thanë zyrtarët izraelitë.
Sipas nismës së re, Izraeli është i gatshëm të negociojë një armëpushim që do të zgjasë nga 42 deri në 60 ditë, ndërsa propozimi i mëparshëm përfshinte një armëpushim 42-ditor. Propozimi i përditësuar përfshin gjithashtu lirimin e të gjitha grave të gjalla dhe të gjithë burrave të gjallë mbi moshën 50 vjeç të rrëmbyer nga Hamasi, së bashku me pengjet në gjendje të rëndë shëndetësore. Më parë, Izraeli bëri thirrje për lirimin e 33 pengjeve të gjallë në këto kategori, por Izraeli tani është i përgatitur të lirojë një numër më të vogël, thanë zyrtarët. Një arsye është vlerësimi se disa nga pengjet e këtyre kategorive nuk jetojnë më.
Nga ana e tij, Izraeli thotë se është i gatshëm të lirojë qindra të burgosur palestinezë në këmbim të pengjeve, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënimin e përjetshëm me burgim për vrasjen e izraelitëve. Parimet e kornizës së përditësuar iu përcollën zyrtarëve të lartë të inteligjencës egjiptiane, të cilët ia paraqitën ato përfaqësuesve të Hamasit në bisedimet të hënën dhe të martën në Kajro.
Ndërkohë, banorët e Gazës janë të dëshpëruar për sulmet e fundit izraelite të cilat lanë të vdekur 17 civilë dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale. Palestinezët në qytetin e Jerusalemit thonë se ka pasur një rritje të rrënimeve, dëbimeve dhe arrestimeve në qytet nga autoritetet e Izraelit që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor, i cili shkaktoi luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza dhe një konflikt më i gjerë në disa fronte. (A2 Televizion)