“Nëse nuk ke informacion, dorëhiqu” Çuçi i kërkon llogari ministrit Gogu për transferimin e Veliajt

Nga A2 CNN
29 Tetor 2026, 15:28 | Politikë

Erion Veliaj kthehet në mollë sherri mes socialistëve. Transferimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga burgu i Durrësi në atë të Fierit, i cili pretendohet të jetë bërë pa një dokument zyrtar, ka përplasur në mbledhjen e grupit parlamentar deputetin e mazhorancës Bledi Çuçi dhe Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu.

Teksa kryebashkiaku Veliaj e ka quajtur këtë akt rrëmbimi, A2 CNNmësoi nga burimet brenda mazhorancës se kryetari i komisionit të Sigurisë, Bledi Çuçi i ka kërkuar llogari Ministrit Gogu, duke e pyetur nëse ka një dokument zyrtar për këtë vendim dhe cilat janë arsyet e transferimit.

Sipas deputetëve që dëshmuan debatin, Ministri i Drejtësisë ka thënë se nuk kishte dijeni dhe për këtë arsye ka kërkuar informacion zyrtar. Nëse nuk ke as ti si ministër informacion, atëherë dorëhiqu mësohet të ketë qenë reagimi i Çuçit ndaj Gogut.

Pas debateve në grup, të dy socialistët të cilët edhe më herët nuk e kanë fshehur miqësinë me Veliajn, në veçanti Toni Gogu, janë ndarë nga pjesa tjetër për ta diskutuar këtë çështje në privatësi. Për gazetart Bledi Çuçi nuk dha asnjë detaj nëse ishte qartësuar apo jo se pse kryetari i Bashkisë u transferua.

Veliaj u ankua përmes rrjeteve sociale për kushte të këqija dhe qëndrim në të njëjtin korridor me vrasës serialë të dënuar me burgim përjetë.

Një ditë pas transferimit në burgun e Fierit, ai u vizitua nga bashkëshortja Ajola Xoxa me djalin e vogël në krah si dhe nga mamaja e kryebashkiakut. Nga pamjet duket që familjarët i kanë dërguar Veliajt edhe paterica pasi sipas tyre vijon të ketë nevojë pas dëmtimit të disa ditëve më parë në kalçeto në Durrës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos