Dhjetëra fëmijë morën pjesë këtë javë në një aventurë të pazakontë pranë lumit Don në Rusinë jugore. Por nuk ishte një kamp pushimi si të tjerët, shkruan A2 CNN. Nën drejtimin e instruktorëve ushtarakë, 83 fëmijë të moshës 8 deri në 17 vjeç zhvilluan një seancë stërvitore në breg të lumit, duke vrapuar dhe zvarritur në rërë e përmes ujërave të cekëta, ndërsa ushtarët u jepnin kurajë me thirrje motivuese.
Stërvitja u mbikëqyr nga ushtarë që kishin marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe bënte pjesë në një trend më të gjerë në Rusi për t’u mësuar fëmijëve që në moshë të vogël aftësi që mund t’i përgatisin për shërbimin ushtarak në të ardhmen.
Një nga pjesëmarrësit më të vegjël, tetëvjeçari Ivan Glushçenko, nuk ngurroi të tregonte për momentin më mbresëlënës. “Kur hodhëm granata dhe qëlluam me armë stërvitore”, tha ai. Fëmijët janë pjesë e një grupi kadetësh të drejtuar nga Kozakët në rajonin e Rostovit, pranë kufirit me Ukrainën. “Pse jam këtu? Sepse dua të lidh të ardhmen time me shërbimin ushtarak. Dua t’i shërbej vendit tim dhe të jem besnik deri në fund”, tha një nga djemtë më të mëdhenj, Anton. Ndërsa një tjetër, David, shtoi: “Kjo stërvitje më ndihmoi të kuptoj sa e fortë është vullneti im”.
Megjithatë, organizata të pavarura për të drejtat e fëmijëve, si “Ne Norma”, e kritikojnë këtë qasje, duke thënë se stërvitjet ushtarake për fëmijët dhe mësimet për përdorimin e armëve apo ndërtimin e dronëve ushtarakë janë forma indoktrinimi dhe propagande, shkruan A2 CNN. Autoritetet ruse nga ana tjetër theksojnë se këto aktivitete forcojnë patriotizmin dhe rezistencën kombëtare.
Në mesin e instruktorëve ishte edhe Aleksandër Shopin, një ushtar rus i plagosur në Ukrainë, vajza e të cilit mori pjesë në stërvitje. “Më pëlqen t’u përcjell përvojën time fëmijëve. Shikon se si këtu krijohet një ndjenjë familjeje”, tha ai. Edhe pse e lodhur, vajza e tij tha se e kishte shijuar sfidën: “Të vraposh si pjesë e një ekipi dhe të mos zhgënjesh shokët, kjo është ajo që më pëlqen”. (A2 Televizion)