Analiza: Misteri i shpërthimit të gazsjellësit Nord-Stream

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 11:40 | Bota

Analiza: Misteri i shpërthimit të gazsjellësit Nord-Stream

Gushtin e kaluar, hetuesit gjermanë menduan se ishin pranë zgjidhjes. Me urdhër-arrest evropian ata ishin në kërkim të një zhytësi nga Ukraina. Në verën e vitit 2024, Volodymyr Z. u gjurmua më në fund në Poloni. Autoritetet gjermane shpresuan, se kolegët e tyre jashtë vendit do ta arrestonin atë. Por për ditë të tëra, kjo nuk ndodhi. Derisa ky person me ndihmë zyrtare nga Ukraina më në fund arriti të ikte përtej kufirit në vendin e tij të lindjes.

Tani, një vit pas përpjekjes së dështuar në Poloni dhe pothuajse tre vjet pas sulmeve ndaj gazsjellësit Nord Stream, hetuesit më në fund arritën një sukses: Siç njoftoi Prokurori i Përgjithshëm Federal, shtetasi ukrainas Serhii K. u arrestua në provincën italiane të Riminit gjatë natës nga e mërkura në të enjten. Ky është arrestimi i parë i një të dyshuari në lidhje me një nga aktet më të mëdha të sabotimit në Evropë.

Hetimet e ARD, Süddeutsche Zeitung (SZ) dhe Die Zeit kanë treguar vazhdimisht në vitet e fundit se si hetuesit nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Policia Federale, të ngarkuar nga Prokurori i Përgjithshëm Federal, po përparonin hap pas hapi në kërkimin e të dyshuarve. Disa javë më parë, autoritetet gjermane kishin shpresa se së shpejti do të kishin sukses.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm Federal, Serhii K. besohet të jetë një figurë kyçe. Ai dyshohet se është një nga koordinatorët e operacionit në shtator 2022. Sipas urdhrit të arrestit, K., ashtu si Volodymyr Z., thuhet se është pjesë e grupit që dyshohet se vendosi eksplozivin në gazsjellësit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2.  Sipas hulumtimit, hetuesit kanë identifikuar disa të dyshuar, përfshirë civilë dhe individë me trajnim ushtarak.

Sipas hetimeve deri tani dihet, se sulmuesit kanë përdorur në Detin Baltik jahtin gjerman me vela "Andromeda" në shtator 2022. Thuhet se ata e kanë marrë me qira më parë anijen në Rostock duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara përmes një kompanie në Varshavë. Më pas, zhytësit thuhet se i kanë bashkangjitur eksplozivët me fitil me sahat në tubacionet në shtratin e detit. Më 26 shtator 2022, tre nga katër fijet e dy tubacioneve u shkatërruan përfundimisht.

Suedia dhe Danimarka i kanë mbyllur me kohë hetimet. Prokuroria e Përgjithshme Federale e vazhdoi hetimin nën dyshimin për "shkaktim të qëllimshëm të një shpërthimi" dhe "sabotim antikushtetues". Serhii K. akuzohet gjithashtu për "shkatërrim të objekteve", sipas deklaratës së autoritetit gjerman në Karlsruhe.

Për disa vite, një pjesë e madhe e gazit natyror rus për Gjermaninë vinte direkt nëpërmjet Nord Stream 1. Ndërsa qeveria gjermane e kishte promovuar për vite me radhë atë si një projekt të sektorit privat, shumë vende të Evropës Lindore, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, e kishin kritikuar ashpër projektin. Ato kishin paralajmëruar për pasojat gjeopolitike të anashkalimit të Evropës Lindore në furnizimin me gaz rus.

Pas fillimit të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, Rusia kishte pezulluar tashmë furnizimet nëpërmjet Nord Stream 1 përpara se tubacionet të shkatërroheshin. Për shkak të mosmarrëveshjeve politike, tubacionet e gazsjellësit Nord Stream 2 nuk ishin vënë ende në funksionim.

Për hetuesit gjermanë, arrestimi mund të sjellë informacione të reja rreth sfondit të vërtetë të sulmit, përfshirë edhe se kush e porositi atë. A e urdhëruan sulmin ukrainasit apo madje vetë qeveria ukrainase? Apo sulmet ndaj Nord Stream janë një operacion "me flamur të rremë" që synon të zhvendosë dyshimet tek Ukraina?

Burime gjermane të sigurisë thonë se nuk ka prova që mbështesin supozimin e fundit. Pyetja tjetër që duhet të marrë përgjigje është, edhe nëse grupi i autorëve që kryen shpërthimin vepronte nga Ukraina, a kishte ai një porosi nga shteti dhe mbështetje logjistike? Apo kush veproi këtu?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e qeverisë së tij në sulme. Arrestimi i fundit mund të hedhë më shumë dritë mbi këtë çështje së shpejti. DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos