Ndihmat humanitare të Vatikanit që ishin nisur në jug të Libanit, detyrohen të kthehen prej bombardimeve izraelite

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 20:15 | Bota

Ndihmat humanitare të Vatikanit që ishin nisur në jug të

Bombardimet në jug të Libanit të martën detyruan një autokolonë ndihmash humanitare, të organizuar nga ambasada e Vatikanit, të kthehej mbrapsht, ndërsa po përpiqej të arrinte në një qytet të krishterë të rrethuar, tha për Reuters një prift nga zona.

Mijëra të krishterë në disa qytete të jugut të Libanit kanë qëndruar në shtëpitë e tyre, pavarësisht përshkallëzimit të luftimeve mes Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, me shpresën se qytetet e tyre do të kurseheshin nëse qëndronin jashtë konfliktit. Por përplasjet dhe sulmet ajrore izraelite në fshatrat përreth e kanë bërë shumë të rrezikshme lëvizjen brenda dhe jashtë këtyre zonave, ndërsa ushqimi, uji dhe ilaçet po pakësohen.

Një dërgesë ndihmash e organizuar nga ambasada e Vatikanit ishte planifikuar të mbërrinte në qytetin e krishterë Debel të martën, por bombardimet e detyruan atë të kthehej në momentin e fundit, tha Fadi Falfil, prift në Debel.

“Nuk kemi ilaçe bazë si insulina, madje nuk kemi as ujë të pijshëm,” tha ai për Reuters.

Falfil shtoi se autokolona fillimisht ishte planifikuar për të dielën e Pashkëve, por bombardimet e forta e shtynë për të martën.

“Po prisnim gjithë ditën dhe ata u përpoqën gjatë gjithë ditës për të na sjellë këto ndihma. Ishte vetëm pesë minuta larg dhe u detyrua të kthehej mbrapsht,” tha Falfil.

Falfil tha se ishte informuar se bombardimet izraelite ndaj militantëve të Hezbollahut në afërsi kishin penguar dërgimin e ndihmave dhe se nuk ishte caktuar ende një datë e re për një tjetër përpjekje.

Ushtria izraelite, Hezbollah dhe një zëdhënës i ambasadës së Vatikanit në Liban nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Liban, e njohur si UNIFIL, po shoqëronte autokolonën të martën.

“Misioni u ndërpre për shkak të bombardimeve në zonë. Patëm disa lëndime shumë të lehta mes paqeruajtësve për shkak të shpërthimeve pranë,” tha zëdhënësja e UNIFIL, Kandice Ardiel.

Transmetuesi libanez MTV raportoi se autokolona e ndihmave përbëhej nga tre kamionë të mbushur me furnizime bazë, përfshirë bukë dhe perime.

“Çfarëdo që të ndodhë, ne do të qëndrojmë. Qëndrojmë për shkak të besimit dhe historisë sonë këtu – nuk është një zgjedhje, është një mesazh,” tha Falfil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos