“Në 5 vite humbën 195 milionë hektarë pyje” alarmi i ekspertëve: Zjarret e shkaktuara nga njeriu, kërcënimi kryesor

Nga A2 CNN
19 Gusht 2026, 12:50 | Bota

“Në 5 vite humbën 195 milionë hektarë pyje”

Zjarret e shkaktuara nga aktiviteti njerëzor janë kthyer në kërcënimin kryesor për pyjet e paprekura të planetit, ndërsa ndryshimet klimatike po i bëjnë ato më të mëdha, më të shpeshta dhe më intensive. Në këtë përfundim ka arritur një studim i Ëorld Resources Institute, bazuar në të dhënat e Global Nature Watch.

Sipas studimit, sipërfaqja e pyjeve të paprekura në botë është reduktuar me 15%, ose rreth 195 milionë hektarë, gjatë periudhës 2000-2025. Në pesë vitet e fundit, zjarret kanë qenë shkaku kryesor i humbjes së mbulesës pyjore në afro 40% të rasteve.

Dhe për fat të keq, gjatë 10 viteve të fundit, shpyllëzimi, në vend që të ngadalësohet, është përshpejtuar. Midis viteve 2000 dhe 2013, një mesatare prej 7.1 milionë hektarësh humbën çdo vit; midis viteve 2014 dhe 2025, mesatarja u rrit në 9.4 milionë hektarë.

"Nëse trendi nuk përmbyset, bota mund të humbasë shumë nga zonat e saj të mbetura pyjore të paprekura brenda këtij shekulli", paralajmërojnë autorët e studimit, Michelle Sims dhe Peter Potapov.

Ekspertët theksojnë se shumica e këtyre zjarreve lidhen me aktivitetin njerëzor, pasi përqendrohen pranë zonave bujqësore, infrastrukturës, zonave të shpyllëzimit dhe aktiviteteve minerare. Temperaturat e larta dhe kushtet më të thata, të favorizuara nga ngrohja globale, e përkeqësojnë situatën.

Humbjet më të mëdha janë regjistruar në Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe Euroazinë veriore. Rusia ka humbur rreth 53 milionë hektarë pyje të paprekura, Brazili 33 milionë dhe Kanadaja 29 milionë.

Pyjet e paprekura kanë rëndësi jetike për klimën dhe biodiversitetin, pasi ruajnë sasi të mëdha karboni, rregullojnë temperaturat dhe reshjet dhe strehojnë mbi gjysmën e specieve të vertebrorëve tokësorë.

Ekspertët kërkojnë forcimin e parandalimit dhe reagimit ndaj zjarreve, ndërsa theksojnë se vetëm 37% e pyjeve të paprekura janë aktualisht nën mbrojtje ligjore.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos