Të pajisur me thika, kaçavida e maska, policia parandalon konfliktin mes 28 të miturve në Kombinat

Nga A2 CNN
19 Gusht 2026, 13:20 | Kronikë

Të pajisur me thika, kaçavida e maska, policia parandalon konfliktin

Policia e kryeqytetit ka parandaluar një konflikt mes disa grupeve të miturish në zonën e Kombinatit.

Pas marrjes së informacionit për një përplasje të mundshme, shërbimet e Komisariatit Nr. 6 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndërhynë në rrugën “Llambi Bonata”, duke shoqëruar të miturit.

Gjatë kontrollit, disa prej tyre u gjetën me thika, kaçavida dhe mjete të tjera të mprehta, ndërsa u sekuestruan gjithsej 5 armë të ftohta/mjete të mprehta, si dhe disa maska.

28 të miturit të moshave 13-17 vjeç, u proceduan në gjendje të lirë. Veprimet procedurale u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandaloi zhvillimin e konfliktit ndërmjet disa të miturve. 

Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, disa prej të cilëve posedonin armë të ftohta, mjete të mprehta. 

Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.    

Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.    

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos