"Në Uashington marrim vendime të rëndësishme," Stoltenberg: NATO, aleancë rajonale por përballet me kërcënime globale

Nga A2 CNN
27 Maj 2024, 17:21 | Bota

"Në Uashington marrim vendime të rëndësishme,"

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mori pjesë sot në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s 2024, që u organizua në Sofje të Bullgarisë.

Në tërësi, fjalën e tij shefi i Aleancës së Atlantikut Verior e fokusoi në përgatitjet për Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Uashington.

Teksa i uroi mirëseardhjen Suedisë, e cila merrte pjesë sot si anëtare me të drejta të plota e Aleancës, Stoltenberg bëri të ditur se në Samitin e Uashingtonit ku tha se do të merren vendime të rëndësishme, do të adresohen tre çështje kryesore.

Shefi i NATO-s solli në vëmendje se sot jetojmë në një botë më të rrezikshme e për rrjedhojë, Aleanca do të duhet që t’i përgjigjet si mjedisi më kërkues dhe më të vështirë.

Çështja e parë që do të adresohet në Samitin e Uashingtonit do jetë fokusi i rritur në parandalim dhe mbrojtje.

“Duhet ta kujtojmë se synimi kryesor i NATO-s është, jo të luftojë luftëra. Qëllimi ynë kryesor është ta parandalojmë luftën dhe të ruajmë paqen,” shpjegoi Stoltenberg.

Çështja e dytë që do të diskutohet në Samitin e Uashingtonit do të jetë Ukraina.

“Problemi është se në 6 muajt e fundit, nuk i kemi dërguar dot Ukrainës atë që i kishim premtuar,” tha Stoltenberg duke shtuar se SHBA është bërë pengesë.

“Shteteve të Bashkuara u deshën gjashtë muaj për të rënë dakord për paketën e re të ndihmës. Aleatët evropianë që premtuan një milion fishekë nuk kanë dorëzuar asgjë të afërt me atë numër të municioneve në Ukrainë.”

Çështja e tretë që do të diskutohet në Uashington, sipas Stoltenberg do të jetë partneriteti global dhe në veçanti, partnerët tanë të Azisë së Paqësorit-Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut.

“Kjo reflekton se siguria nuk është vetëm rajonale por se siguria është globale.”

Jens Stoltenberg theksoi se NATO do të mbetet një Aleancë rajonale, por shtoi se kjo aleancë përballet me kërcënime globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos