Në fillim qetësi… më pas një shpërthim i fuqishëm. Ushtria e Izraelit njofton shembjen e një kulle të lartë në qytetin e Gazës, që pretendohet se është përdorur nga Hamasit si zyra qendrore dhe për të monitoruar lëvizjet e trupave në zonë. Pak përpara bombardimit ishte shpërndarë një paralajmërim për evakuim.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, ka udhëtuar me urgjencë për në Izrael. Ai do të diskutojë mundësinë e aneksimit të disa pjesëve të Bregut Perëndimor, të pushtuar, me drejtuesit e shtetit hebre. Kjo lëvizje nga Izraeli vjen si kundërpërgjigje ndaj nismës së disa vendeve perëndimore për të njohur shtetin e Palestinës në fund të këtij muaji.
Mediat raportojnë se kryeministri, Benjamin Netanjahu, përmes takimit me Rubion, po kërkon që të kuptojë nëse Trump e mbështet aneksimin ose jo. Shefi i qeverisë izraelite po përballet jo vetëm me presione nga jashtë, por edhe nga brenda vendit. Vazhdon ende vala e protestave kundër tij dhe kabinetit të luftës, ndërsa mijëra njerëz, mes të cilëve dhe familjarët e pengjeve që janë ende në duart e Hamasit, kërkojnë që të bëhet më shumë për lirimin e tyre.
Ata kanë kritikuar dhe sulmin në Katar, duke e konsideruar një veprim të rrezikshëm që vonon paktin me Hamasin.
“Kryeministri Netanjahu është pengesa e vetme për arritjen e marrëveshjes për lirimin e pengjeve”, theksuan organizatorët dhe pjesëmarrësit në manifestimin e zhvilluar në Tel Aviv. (A2 Televizion)