Epitetet e zgjedhura nuk janë ato të leksikut diplomatik. "Një i çmendur", "një fëmijë që nuk di si të sillet", "ai bombardon gjithçka vazhdimisht".
Këto janë fjalët e disa zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë mbi vendimet e fundit të Benjamin Netanyahut në lidhje me luftërat, të raportuara nga gazeta Axios.
Shqetësimi në “Shtëpinë e Bardhë” është, mbi të gjitha, për pasojat. "Këto plane mund të minojnë atë që Trump po përpiqet të arrijë në Damask dhe në Lindjen e Mesme, sigurisht”, mendojnë zyrtarët pranë Presidentit amerikan.
Asnjë deklaratë zyrtare, por murmurima që duket se tregojnë një krisje në boshtin SHBA-Izrael.
Të martën, forcat izraelite goditën trupat e Damaskut që po përparonin drejt qytetit të Sweidës, duke iu përgjigjur përleshjeve të dhunshme midis fiseve druze dhe beduine të armatosura, të cilat kanë vrarë më shumë se 700 njerëz, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Me një vazhdimësi të shpejtë, sulmet arritën në kryeqytetin sirian, ku forcat ajrore të Netanyahut hodhën gjithashtu bomba në pallatin presidencial.
Por ditët e fundit, lista e sulmeve është zgjeruar. Përveç operacioneve në dukje të pafundme në Rripin e Gazës, njerëzit e Uashingtonit janë irrituar nga vrasja e shtetasit palestinezo-amerikan Saif Musallet nga një turmë kolonësh dhe raketa izraelite që shpërtheu çatinë e Familjes së Shenjtë, famullisë së vetme katolike në Gaza, duke vrarë tre persona. Këtu, një zyrtar tjetër i tha Axios se ndjesia është se "diçka e re po ndodh çdo ditë”.
Ndërsa Trump zgjedh të heshtë publikisht, ai privatisht telefonon aleatin e tij dhe kërkon falje përmes mikrofonave për bombardimin e vendit fetar. Netanyahu pranon. Komentet e vetme zyrtare përtej Atlantikut vijnë nga Karoline Leavitt, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e cila thjesht u thotë gazetarëve se "reagimi i Trump ndaj bastisjes në kishë nuk ka qenë pozitiv".
Edhe pse të paidentifikuar, zërat e raportuar nga Axios zbulojnë një lloj intolerance nga Trump. Dikush pyet veten nëse frustrimi që zien midis zyrtarëve të Uashingtonit pasqyron edhe mendimet e të parit të Zyrës Ovale. Sigurisht që nuk do të ishte hera e parë që acarimi është rritur për shkak të vendimeve të qeverisë së Netanyahut, e cila, thonë ata, "duket se është e gatshme të shtypë këmbëzën".
Muajin e kaluar, pas një sulmi të IDF-së në Teheran në prag të armëpushimit të brishtë me Iranin, në një nga deklaratat e tij të tërbuara, Trump akuzoi "mikun e tij" për rrezikimin e armëpushimit.
Tensionet u rritën nga bombardimet në Siri, të cilat "e kapën Shtëpinë e Bardhë në befasi”. “Presidentit nuk i pëlqen të ndezë televizorin dhe të shohë bomba të hedhura në një vend ku ai po kërkon paqe dhe ka bërë një njoftim monumental për të ndihmuar në rindërtim", tha një zyrtar.
Dhe Trumpit nuk i pëlqen as të dëgjojë ankesa nga Arabia Saudite, Turqia dhe vendet e tjera në rajon me të cilat po punon për të forcuar dhe normalizuar marrëdhëniet, pikërisht me Izraelin.
Zyrtarët i thonë Axios se ndjenja është se: “Agjenda politike e Bibit po ndikon në logjikën e tij të shëndoshë dhe ky do të jetë një gabim serioz për të në planin afatgjatë”. (A2 Televizion)