Kryetarja e Aleancës Kombëtare Shqiptare, Elena Kocaqi, ka komentuar përplasjen e fundit për mandatin e vetëm të “Nisma Shqipëria bëhet” mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt në emisionin Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Ajo theksoi se, në bazë të marrëveshjes, mandati i deputetit i takonte Lapajt dhe se, në vend të Shabanit, ajo nuk do ta pranonte kurrë mandatin, edhe nëse diferenca mes tyre do të ishte vetëm një votë.
“Unë i njoh që të dy. Por në këtë rast, në bazë të marrëveshjes që ata kanë, mandati i takonte Lapajt. Po të isha në vend të Shabanit, një votë sikur të ishte diferenca, nuk do ta pranoja mandatin”, deklaroi Kocaqi.
Ajo kritikoi ashpër kulturën politike në Shqipëri, duke e cilësuar si të mbushur me mungesë të burrërisë dhe besnikërisë.
“Problemi është se në politikën shqiptare nuk ka burrëri, nuk ka besnikëri dhe vuajmë. Politika nuk është imorale. Politikën imorale e kanë bërë meshkujt imoralë në politikë,” tha Kocaqi, duke shtuar se vetë politika si proces nuk duhet demonizuar për shkak të sjelljes së individëve.
Sipas saj, marrëveshjet dhe ndershmëria duhet të jenë pjesë e kulturës politike, por kjo mungesë është pikërisht ajo që dëmton besimin e publikut dhe funksionimin normal të demokracisë.
“Pse nuk janë burra, burrat që merren me politikë në Shqipëri, ne nuk mund ta quajmë politikën të tillë”, tha Kocaqi në Debat. (A2 Televizion)