
Pas urdhrit për grumbullimin më të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme që nga fillimi i Luftës në Irak, presidenti amerikan Donald Trump ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm për Iranin. CNN duke cituar burime pranë administratës Trump, raporton se opsionet e tij variojnë nga vazhdimi i diplomacisë deri te një ndërhyrje e gjerë ushtarake që mund të synojë rrëzimin e regjimit iranian. Vetë Trump ka deklaruar në rrjetin e tij social, Truth Social, se preferon një marrëveshje, por paralajmëroi se në mungesë të saj “do të jetë një ditë shumë e keqe për atë vend”.
Opsioni 1: T’i jepet kohë diplomacisë
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti preferon një marrëveshje që shmang përplasjen ushtarake. I dërguari i posaçëm Steve Ëitkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner kanë zhvilluar bisedime indirekte me përfaqësues iranianë dhe pritet të rikthehen në Geneva për një tjetër raund negociatash.
Një nga pikat kryesore të përplasjes mbetet pasurimi i uraniumit. Trump kërkon që Irani të mos lejohet të pasurojë uranium, ndërsa Teherani këmbëngul se kjo është e drejtë sovrane dhe se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, konsiderohet vendimtar për çdo marrëveshje, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka deklaruar se heqja dorë nga pasurimi “nuk është në tryezë”.
Opsioni 2: Sulm i kufizuar për të rritur presionin
Një alternativë tjetër është një sulm i targetuar ndaj objekteve ushtarake iraniane, përfshirë bazat e raketave balistike, objektet bërthamore apo strukturat e Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC).
Qëllimi do të ishte rritja e presionit ndaj Teheranit për ta detyruar të pranojë një marrëveshje. Megjithatë, zyrtarë rajonalë paralajmërojnë se një sulm, qoftë edhe i kufizuar, mund të sjellë kundërpërgjigje ndaj bazave amerikane në rajon dhe të përshkallëzojë konfliktin.
Opsioni 3: Operacion i gjerë për rrëzimin e regjimit
Opsioni më ekstrem do të ishte një operacion i gjerë ushtarak, që synon dobësimin ose rrëzimin e regjimit iranian. Sipas burimeve, SHBA ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake në rajon për të ndërmarrë sulme të shumta dhe të njëpasnjëshme ndaj objektivave strategjike.
Megjithatë, drejtues ushtarakë amerikanë kanë ngritur shqetësime për rreziqet, kompleksitetin dhe mundësinë e një konflikti të zgjatur që do të rëndonte mbi forcat amerikane dhe rezervat e armëve, veçanërisht në një kohë kur SHBA mbështet edhe Ukrainën dhe Izraelin.
Një tjetër pikëpyetje e madhe mbetet se çfarë do të ndodhte pas një rrëzimi të mundshëm të regjimit, pasi administrata nuk duket të ketë një plan të qartë për pasuesit e mundshëm në Teheran.
(A2 Televizion)