Vdekja e bosit të drogës 'El Mencho', Meksika vendos mijëra trupa për t'i dhënë fund përleshjeve

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2026, 07:22 | Bota

Vdekja e bosit të drogës 'El Mencho', Meksika vendos

Meksika ka vendosur rreth 10 mijë trupa për t'i dhënë fund dhunës në të gjithë vendin, e cila u shkaktua nga vrasja e udhëheqësit më të fuqishëm të kartelit të drogës në vend, "El Mencho", nga forcat e sigurisë.

Sipas sekretarit të Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, 2,500 ushtarë shtesë ishin dërguar në Meksikën perëndimore të hënën, ndërsa qeveria tha se rreth 9,500 trupa janë vendosur në total që nga e diela.

Më shumë se 70 persona vdiqën në përpjekjen për të kapur Nemesio Oseguera Cervantes dhe më pas, thanë autoritetet të hënën, përfshirë 27 anëtarë të forcave të sigurisë, 46 të dyshuar si kriminelë dhe një civil.

Të paktën 20 shtete u përfshinë nga trazirat që kur Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur më mirë si "El Mencho" vdiq në paraburgim të dielën, menjëherë pasi u kap nga forcat speciale meksikane në shtetin Jalisco.

Oseguera Cervantes ishte udhëheqësi i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një nga rrjetet kriminale me rritjen më të shpejtë në Meksikë, i njohur për trafikimin e fentanilit, metamfetaminës dhe kokainës në Shtetet e Bashkuara dhe për organizimin e sulmeve kundër zyrtarëve të qeverisë meksikane.

Ai u plagos të dielën në një shkëmbim zjarri me ushtarët në qytetin Tapalpa, në shtetin Jalisco, dhe vdiq ndërsa po transportohej me avion për në Mexico City, tha ushtria.

Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG) është një nga organizatat kriminale më të frikshme në Meksikë dhe udhëheqësi i saj ishte njeriu më i kërkuar në vend.

Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi shpërthime dhune, me anëtarët e kartelit që bllokuan rrugët në 20 shtete dhe dogjën automjete dhe biznese.

Çelësi për gjetjen e Osegueras ishte një nga të dashurat e tij, tha Sekretari Meksikan i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla.

Inteligjenca meksikane, e mbështetur nga ushtria amerikane, mësoi për një takim midis gruas dhe bosit të drogës dhe e përdori atë informacion për ta gjurmuar atë në një fermë në shtetin e Jaliscos, u tha Trevilla gazetarëve.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos