Nga Hormuzi në qiell, kriza që po rrëzon udhëtimet verore

Nga Rosalba Bejdo
24 Prill 2026, 22:06 | Bota

Një rritje e fortë e çmimeve të karburantit për avionë, e nxitur nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, ka tronditur industrinë globale të aviacionit, duke detyruar linjat ajrore të rrisin çmimet e biletave dhe të rishikojnë parashikimet financiare. Çmimet e karburantit për avionë janë rritur ndjeshëm nga 85–90 dollarë për fuçi në 150–200 dollarë për fuçi në javët e fundit, një goditje e rëndë për një industri ku karburanti përbën deri në një të katërtën e kostove operative.

Kufizimet e vazhdueshme në tregtinë përmes Ngushticës së Hormuzit luajnë një rol kyç. Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump zgjati armëpushimin pas një kërkese nga ndërmjetësues pakistanezë, Irani dhe SHBA vijojnë të kufizojnë kalimin e anijeve përmes kësaj ngushtice, e cila para fillimit të luftës më 28 shkurt transportonte rreth 20% të furnizimit ditor global me naftë. Ekspertja globale e turizmit dhe aviacionit, Anita Mendiratta, i tha Reuters se çmimet e karburantit për avionë janë rritur “në mënyrë eksponenciale” për shkak të problemeve në këtë zonë.

Anita Mendiratta shprehet: “Problemi me karburantin për avionë aktualisht ka dy anë. Së pari është çmimi, i cili është rritur në mënyrë eksponenciale për shkak të problemeve në Ngushticën e Hormuzit. Normalisht, pjesa më e madhe e karburantit të avionëve në botë kalon përmes këtij rajoni.

Por interesante është se nuk bëhet fjalë vetëm për transportin. Ajo që ka shumë rëndësi është përpunimi i karburantit. Zakonisht nafta bruto kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, më pas rafinohet në rafineritë e Lindjes së Mesme dhe shpërndahet drejt aeroporteve ndërkombëtare për përdorim nga linjat ajrore.

Ky proces është goditur rëndë nga konflikti. Pra fillimisht u rrit çmimi, dhe mbi këtë tani kemi edhe probleme me furnizimin. Është një goditje e dyfishtë që do të ndikojë si te çmimet për udhëtarët, ashtu edhe te disponueshmëria, duke prekur drejtpërdrejt oraret e fluturimeve.”

Sipas Mendirattës, linjat ajrore europiane do të jenë ndër më të goditurat nga mungesa e karburantit. Kompania gjermane Lufthansa njoftoi se do të heqë nga programi 20,000 fluturime të distancave të shkurtra deri në tetor, ekuivalente me rreth 40,000 ton karburant avioni. Më herët kishte paralajmëruar se do të linte në tokë 27 avionë të flotës së saj rajonale CityLine më herët nga sa ishte planifikuar.

Operatori më i madh turistik në Europë, TUI, uli parashikimin për fitimin operativ dhe pezulloi udhëzimet për të ardhurat, duke përmendur pasiguritë nga lufta me Iranin. Si pasojë, aksionet e saj ranë me 2.6% të mërkurën.

TUI, që operon flotën e vet të avionëve dhe është drejtpërdrejt i ekspozuar ndaj ndërprerjeve të udhëtimit dhe mungesës së karburantit, iu bashkua linjave si easyJet dhe Wizz Air në paralajmërimet për ndikimin negativ të konfliktit.

Anita Mendiratta thotë: “Nëse e shohim nga këndvështrimi europian, pjesa më e madhe e furnizimit vjen pikërisht nga ai rajon, rreth 70–75%. Por kjo varet edhe nga vendi dhe nga besueshmëria e furnizimit, si dhe nëse bëhet fjalë për një shtet ishull apo një vend pa dalje në det.

Në rajone të tjera, si Azia-Paqësori, furnizimi vjen nga zona të ndryshme të botës. Ka shumë rafinim, për shembull, në Nigeri që furnizon një pjesë të madhe të Afrikës. Në Europë kemi gjithashtu Holandën, Gjermaninë dhe alternativa të tjera.

Por kur flasim për arterien kryesore të karburantit për avionë, sidomos për naftën bruto që shndërrohet në karburant, ajo kalon nga Lindja e Mesme. Dhe për këtë arsye, problemet aktuale në Ngushticën e Hormuzit nuk zgjidhen thjesht duke e hapur atë. Jo, sepse karburanti ende duhet të rafinohet.”

Sipas Mendirattës, udhëtarët dhe pushuesit do ta ndiejnë goditjen këtë verë.Ajo shtoi se sezoni veror i rezervimeve ka nisur, çka do të thotë se kërkesa po rritet, ndërsa furnizimi po bëhet gjithnjë e më i kufizuar.

Anita Mendiratta:  “Besoj se do ta ndiejmë ndikimin shumë shpejt. Edhe nëse përfundon veprimi ushtarak, duhet të përballemi me pasojat dytësore. Një pjesë e madhe e problemit është bllokimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Zinxhirët e furnizimit duhet të riaktivizohen pasi të hapet ngushtica, dhe më pas vjen procesi i rafinimit dhe shpërndarjes së karburantit drejt aeroporteve dhe linjave ajrore. Kjo situatë pa dyshim do të shtrihet gjatë verës, pikërisht kur hyn në kulm sezoni i udhëtimeve, ku kërkesa rritet ndërsa furnizimi bëhet gjithnjë e më i kufizuar. Për këtë arsye, disa rajone po japin paralajmërime shumë të qarta.”

Linjat ajrore nuk duan të anulojnë fluturimet, të humbasin të ardhura dhe, mbi të gjitha, besimin e klientëve. Për këtë arsye, ato po fokusohen te linjat me kërkesën më të lartë për të ruajtur besnikërinë e udhëtarëve.

Gjithashtu, po rishikojnë rrjetin e fluturimeve në lidhje me zonat ku furnizimi me karburant është më i qëndrueshëm.

Anita Mendiratta thotë: “Ajo që po bëjnë linjat ajrore është të analizojnë se ku në botë po operojnë fluturimet e tyre, ku kanë potencial për të gjeneruar të ardhura, ku mund të menaxhojnë përdorimin e avionëve dhe ekuipazhit, dhe ku kanë siguri për furnizim me karburant.

Njëkohësisht, ato shohin edhe ku është kërkesa më e madhe, që të mos humbasin besnikërinë e klientëve, sepse askush nuk dëshiron t’i anulohet pushimi i shumëpritur.

Pra, po përpiqen ta menaxhojnë situatën në mënyrë sa më të zgjuar, duke përshtatur oraret e fluturimeve me kërkesën dhe duke marrë parasysh furnizimin me karburant.”

Edhe pas përfundimit të operacioneve ushtarake, mungesa e karburantit dhe besimi në udhëtime nuk do të rikthehen menjëherë.

Anita Mendiratta shprehet: “Edhe kur të ndalojë veprimi ushtarak, do të duhet kohë e konsiderueshme për të riaktivizuar zinxhirët e furnizimit, për të siguruar vazhdimësinë e karburantit dhe, shumë e rëndësishme, për të rindërtuar besimin.

Sepse edhe nëse furnizimi stabilizohet, pyetja mbetet: a do të ndihen të sigurt udhëtarët për t’u rikthyer në ato destinacione?

Kjo do të marrë kohë, ndoshta javë apo muaj. Por ajo që dimë nga përvoja e COVID-it është se sapo njerëzit ndihen të sigurt, dëshira për të udhëtuar rikthehet shumë shpejt.”

Edhe nëse armët heshtin, pasojat e kësaj krize nuk do të zhduken menjëherë. Zinxhirët e furnizimit duhet të rindërtohen, tregu të stabilizohet dhe, mbi të gjitha, të rikthehet besimi i udhëtarëve. Sepse në fund, kjo nuk është vetëm një krizë karburanti- është një provë për gjithë industrinë globale të udhëtimeve. Dhe pyetja që mbetet është e thjeshtë: sa shpejt do të rikthehet normaliteti në qiell, kur toka ende është në konflikt? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos