Regjimi i ajatollahëve në Iran po përballet me presion gjithnjë e më të madh nga vala e re e trazirave, e nxitur nga vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga inflacioni, i cili është rritur ndjeshëm që nga lufta e qershorit të kaluar, kur forcat izraelite dhe amerikane ndërmorën sulme ajrore, kryesisht ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Pavarësisht shpërthimeve të përsëritura të protestave mbarëkombëtare që shtrihen prej dekadash, opozita iraniane ka mbetur e fragmentuar mes grupeve rivale dhe fraksioneve ideologjike dhe duket se ka pak prani të organizuar brenda Republikës Islamike.
Monarkistët janë pjesë e grupimeve që përbëjnë opozitën iraniane. Shahu i fundit i Iranit, Mohammed Reza Pahlavi, u largua në vitin 1979, kur Revolucioni Islamik mori pushtetin. Ai vdiq në Egjipt në vitin 1980. Djali i tij, Reza Pahlavi, ishte trashëgimtari i Fronit të Palloit kur dinastia u rrëzua dhe, tashmë me bazë në SHBA, ka bërë thirrje për ndryshim regjimi përmes mosbindjes civile paqësore, vazhdimit të protestave dhe një referendumi për një qeveri të re.
Megjithatë, ndonëse Pahlavi ka shumë mbështetës në diasporën iraniane që favorizojnë rikthimin e monarkisë, mbetet e paqartë sa popullore do të ishte kjo ide brenda vendit. Shumica e iranianëve nuk janë mjaftueshëm të rritur për ta kujtuar jetën para revolucionit dhe vendi duket shumë ndryshe nga ai që i ati i Pahlavit la pas 47 vjet më parë. Ndërsa shumë iranianë e shohin me nostalgji atë periudhë para-revolucionare, të tjerë kujtojnë edhe pabarazitë dhe shtypjen e asaj kohe.
Ndërkohë, përçarje ka edhe brenda vetë grupeve pro-monarkiste.
“Nuk është se diaspora iraniane gjatë 50 viteve ka krijuar një lëvizje proteste të unifikuar dhe të integruar. Ajo është shumë e përçarë. Nuk është e bashkuar. Djali i ish-monarkut, Reza Pahlavi, është shndërruar, nëse mund të themi kështu, në një figurë përfaqësuese dhe ka tentuar të mobilizojë protestuesit dhe, në fakt, deri në një masë të caktuar, ai ka pasur ndikim në këto protesta që kemi parë. Por është shumë e vështirë të shihet se sa mbështetje ka ai ose sa mbështetje ka ndonjë figurë tjetër në Iran. Do të thosha se iranianët janë relativisht të bashkuar në kërkesën për rrëzimin e Republikës Islamike, por nuk është e qartë se çfarë vjen më pas apo kush vjen më pas. Ai përfaqëson nostalgjinë për të kaluarën. Ai është një alternativë ndaj asaj që kanë aktualisht, por mund të mos jetë zgjedhja numër një për njerëzit brenda Iranit”, tha Sanam Vakil.
Organizata e Muxhahedinëve të Popullit është po ashtu pjesë e opozitës iraniane. Muxhahedinët ishin një grup i fuqishëm i majtë që organizoi fushata bombardimesh kundër qeverisë së Shahut dhe objektivave amerikane në vitet 1970, por më pas u përplasën me fraksionet e tjera. Grupi njihet shpesh me emrin e tij persian, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit (Mujahideen-e Khalq), ose me akronimet MEK apo MKO.
Shumë iranianë, përfshirë edhe armiq të betuar të Republikës Islamike, nuk ia falin kurrë faktin se u rreshtua në krah të Irakut kundër Iranit gjatë luftës së viteve 1980–1988. Grupi ishte i pari që zbuloi publikisht në vitin 2002 se Irani kishte një program sekret të pasurimit të uraniumit, por prej vitesh nuk ka treguar shenja të ndonjë pranie aktive brenda Iranit.
Në mërgim, udhëheqësi i tij, Massoud Rajavi, nuk është parë për më shumë se 20 vjet dhe drejtimin e ka marrë bashkëshortja e tij, Maryam Rajavi. Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar për atë që e quajnë sjellje sektare dhe abuzime ndaj ndjekësve të saj, akuza që grupi i mohon. Grupi është forca kryesore pas Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, të udhëhequr nga Maryam Rajavi, i cili ka prani aktive në shumë vende perëndimore.
“Mendoj se një ndërhyrje e SHBA-së, dhe kjo varet sigurisht nga shtrirja, përmasa, qëllimi dhe objektivat e Shteteve të Bashkuara, mund t’u japë njëfarë mbështetjeje protestuesve. Por ka disa elemente kyçe, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, që ende mungojnë që këto protesta të zhvillohen realisht në diçka revolucionare. Nevojitet rezistencë e qëndrueshme nga brenda vendit. Nevojitet kapacitet organizativ. Dhe Republika Islamike përpiqet vazhdimisht ta thyejë këtë. Nevojitet një plan veprimi. Duhet të dihet se çfarë vjen më pas. Dhe, në fund të fundit, nevojitet gjithashtu që elitat brenda sistemit politik iranian të shkëputen nga ai sistem. Dhe nuk kemi parë një fragmentim të elitave të zhvillohet gjatë këtyre protestave, apo në ndonjë protestë që nga viti 2009.”
Minoritetet kryesisht sunite të kurdëve dhe baluçëve në Iran kanë shprehur shpesh pakënaqësi ndaj sundimit të qeverisë shiite, persishtfolëse në Teheran. Disa grupe kurde kanë organizuar prej kohësh opozitë ndaj Republikës Islamike në pjesët perëndimore të vendit, ku përbëjnë shumicën, dhe ka pasur periudha kryengritjeje të armatosur kundër forcave qeveritare.
Në Baluçistan, përgjatë kufirit lindor të Iranit me Pakistanin, opozita ndaj Teheranit varion nga mbështetës të klerikëve sunitë që kërkojnë më shumë hapësirë për ndjekësit e tyre brenda Republikës Islamike, deri te xhihadistë të armatosur të lidhur me Al-Kaedën.
Kur protestat e mëdha janë përhapur në mbarë Iranin, ato shpesh kanë qenë më të ashpra në zonat kurde dhe të Baluçistanit, por në asnjërën prej këtyre rajoneve nuk ka një lëvizje të vetme, të unifikuar opozitare që të përbëjë kërcënim të qartë për sundimin e Teheranit.
Qindra mijëra iranianë kanë dalë në rrugë në protesta masive në periudha të ndryshme gjatë dekadave. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, demonstruesit mbushën Teheranin dhe qytete të tjera, duke akuzuar autoritetet për manipulim të votës në favor të presidentit në detyrë, Mahmoud Ahmadinejad, kundrejt rivalit Mir Hossein Mousavi. “Lëvizja e Gjelbër” e Mousavit u shtyp dhe ai u vendos në arrest shtëpie, së bashku me aleatin e tij politik dhe ish-kryetarin e parlamentit, Mehdi Karoubi.
Kjo lëvizje, që synonte reforma demokratike brenda sistemit ekzistues të Republikës Islamike, sot shihet gjerësisht si e shuar.
Në vitin 2022, protesta të mëdha përfshinë sërish Iranin, të përqendruara te të drejtat e grave. Demonstratat “Grua, Jetë, Liri” vazhduan për muaj të tërë, por pa krijuar një organizatë apo udhëheqje dhe shumë nga protestuesit u arrestuan dhe u burgosën.
“Mendoj se ata po përballen me një kërcënim të trefishtë, diçka me të cilën nuk janë përballur kurrë më parë. Kërcënimi i parë është padyshim presioni i jashtëzakonshëm ekonomik dhe nuk ka zgjidhje të menjëhershme apo të shpejta në këtë drejtim, për shkak të sanksioneve, por edhe për shkak të korrupsionit sistemik. Presioni i dytë, sigurisht, është kriza politike mes shtetit dhe shoqërisë. Irani ka përjetuar disa valë protestash gjatë dy dekadave të fundit. Këto protesta janë të ngjashme me protestat e viteve 2017 dhe 2019, të cilat kishin karakter ekonomik dhe u përhapën në qytete të vogla dhe fshatra, ku ishin shumë të dhunshme. Kriza e tretë — dhe ajo që e bën këtë moment edhe më shqetësues për establishmentin politik në Iran — është se ata po përgatiten për një tjetër raund përballjeje me Izraelin, nëse jo edhe me Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, ata po i llogarisin me kujdes veprimet e tyre dhe po përpiqen të mbajnë nën kontroll të gjitha frontet njëkohësisht. Presidenti i Iranit është përpjekur t’u afrohet protestuesve dhe t’u bëjë thirrje atyre, me shpresën për të ndërmjetësuar dhe për t’u takuar, gjë që është diçka e re. Por ka gjasa që në rrugët e Iranit të shihen edhe më tej shtypje dhe dhunë.” (A2 Televizion)