Një kontingjent prej 15 ushtarësh francezë ka mbërritur në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, në kuadër të një misioni zbulues evropian, mes tensioneve në rritje për ishullin arktik. Në operacion marrin pjesë edhe trupa nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Vendosja e trupave vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur pretendimet e tij për Groenlandën, territor gjysmëautonom i Danimarkës. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se prania ushtarake do të përforcohet së shpejti me mjete tokësore, ajrore dhe detare, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë politik.
Një zyrtar francez tha se misioni synon të tregojë se NATO është e pranishme në Arktik.
Lëvizja ushtarake ndodh pas vizitës së ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës në Uashington, ku u takuan me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance. Ministri danez i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi se, ndonëse bisedimet ishin konstruktive, mes palëve mbetet një mosmarrëveshje themelore.
Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump po këmbëngul në “pushtimin” e Groenlandës, gjë që për të është “krejtësisht e papranueshme”. Bashkë me ministren e Jashtme të territorit gjysmëautonom, ata adresuan edhe shqetësimet amerikane për sigurinë, shkruan A2 CNN.
“Ne kemi vendosur të formojmë një grup pune të nivelit të lartë për të shqyrtuar nëse mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara. Grupi, sipas mendimit tonë, duhet të përqendrohet në mënyrën e adresimit të shqetësimeve amerikane për sigurinë, duke respektuar në të njëjtën kohë vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës. Ne presim që një grup i tillë të takohet për herë të parë brenda pak javësh. Nuk ka një kërcënim të menjëhershëm nga Kina dhe Rusia, të paktën jo një kërcënim që nuk mund ta përballojmë”, tha Lars Løkke Rasmussen, ministër i Jashtëm i Danimarkës.
Megjithatë, presidenti Trump përsëriti interesin e tij për të blerë ishullin e pasur me burime, një pozicion që ka tronditur aleatët në të gjithë Evropën dhe ka nxitur tensione brenda NATO-s.
“Ne po bëjmë Mburojën e Artë. Po bëjmë shumë gjëra dhe kemi vërtet nevojë për Groenlandën. Nëse nuk e marrim, Rusia dhe Kina do të hyjnë. Dhe nuk ka asgjë që Danimarka mund të bëjë në lidhje me këtë, por ne mund të bëjmë gjithçka në lidhje me të”, tha Trump.
Ai shtoi se SHBA-të kanë raporte të mira me Danimarkën dhe se një zgjidhje për Groenlandën do të gjendet së shpejti. Vendet evropiane janë vënë në lëvizje kundër Trump. Shumë prej tyre po mbështesin Danimarkën, e cila ka dërguar ushtarë në territorin gjysmëautonom. Një lëvizje të tillë kanë premtuar ta ndërmarrin edhe disa vende të tjera evropiane. (A2 Televizion)