Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump emëroi prokuroren veteran Pam Bondi si zgjedhjen e re për postin e prokurorit të përgjithshëm, disa orë pas tërheqjes së Matt Gaetz. Bondi ka eksperiencë të gjatë në fushën e sundimit të ligjit dhe ka shërbyer më herët si prokurore e përgjithshme e Floridas.
Një aleate e vjetër e Trumpit, ajo ka qenë pjesë e ekipit të tij ligjor gjatë procedurave për impeachment në senat, dhe e ka mbështetur publikisht duke marrë pjesë në gjyqin për falsifikim të dhënave të biznesit në Nju Jork.
“Pam ka qenë një prokurore për gati 20 vite, ku është treguar shumë e ashpër ndaj kriminelëve të dhunshëm dhe I ka bërë të sigurta rrugët e Floridas”,tha Trump në një postim në rrjetet sociale.
Bondi ka qenë e afërt me Trump që prej fushatës së vitit 2016, duke u thënë votuesve gjatë një tubimi të fundit se e konsideronte atë një mik. Në 2019 ju bashkua shtëpisë së bardhë të drejtuar prej tij për tu angazhuar në procesin që po i bëhej në senat, ku shërbeu edhe si këshilltare ligjore edhe si avokate mbrojtëse. Vazhdoi të ishte pjesë e ekipit të tij ligjor në 2020, kur u ngritën pretendimet e pabaza se demokratët kishin vjedhur zgjedhjet.
Nëse do të konfirmohet, 59-vjeçarja do të marrë drejtimin e departamentit të drejtësisë me më shumë se 115 mijë punonjës, dhe do të luajë rol kyç në përmbushjen e premtimeve të Trump për të ndëshkuara armiqtë e tij. I zgjedhuri fillestar i Trump për këtë rol, Matt Gaetz u tërhoq para se senati të thoshte fjalën e tij, për shkak të polemikave ishin ndezur lidhur me pretendimet për abuzime seksuale. (A2 Televizion)