Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se “vala e madhe” në përballjen me Iranin nuk ka ardhur ende. Në një intervistë për CNN ai ka paralajmëruar sulme edhe më të ashpra nëse Teherani vazhdon përpjekjet për rindërtimin e programit bërthamor.
Sipas CNN, Trump tha se Irani ka injoruar paralajmërimet e Shtëpisë së Bardhë pas sulmeve të SHBA-së ndaj tre centraleve bërthamore iraniane në qershor, për të cilat Uashingtoni pretendon se e “shkatërruan plotësisht” programin bërthamor.
“Ne e paralajmëruam Iranin të mos përpiqej ta rindërtonte programin, por ata refuzuan të ndalnin përpjekjet për armë bërthamore. Ne vazhdojmë të kryejmë operacione në shkallë të gjerë në Iran. Ne kemi eliminuar flotën e Iranit; anijet e tyre janë në fund të detit. Ne planifikuam katër javë për të eliminuar udhëheqjen iraniane dhe na u desh një orë. Jemi përpara afatit", u shpreh Trump, duke shtuar se regjimi iranian posedon raketa të afta për të goditur Evropën dhe bazat amerikane, dhe se së shpejti mund të arrinte kapacitete për të goditur edhe SHBA-në.
“Regjimi tashmë kishte raketa të afta për të goditur Evropën dhe bazat tona, si vendase ashtu edhe jashtë vendit, dhe së shpejti do të kishte raketa të afta për të arritur Amerikën tonë të bukur”, vijoi ai.
Presidenti e cilësoi operacionin e përbashkët me Izrael si “shansin më të mirë të fundit” për të eliminuar kërcënimet nga Teherani. Ai nuk përjashtoi as mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren, “nëse është e nevojshme”.
Sa i përket kritikave të brendshme dhe sondazheve që tregojnë kundërshtim ndaj sulmeve, Trump deklaroi se vendimi i tij nuk bazohet në sondazhe, por në atë që ai e konsideron “gjënë e duhur”, duke theksuar se Irani “nuk mund të lejohet të ketë armë bërthamore”.
(A2 Televizion)