
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të hënën se një spital në kryeqytetin e Iranit është evakuuar pas shpërthimeve pranë tij dhe se po punon për të verifikuar raportimet sipas të cilave tre qendra të tjera mjekësore në vend janë goditur që nga fillimi i luftës ajrore SHBA–Izrael kundër Iranit më 28 shkurt, raporton A2CNN.
Një zëdhënës i OBSH-së tha se pacientët u zhvendosën nga Gandhi Hospital në Teheran për shkak të shpërthimeve pranë objektit, të cilat shkaktuan dëme anësore në spital. Dëshmitarë thonë që sulmi u krye nga forcat izraelite, megjithatë asgjë nuk është konfirmuar.
OBSH-ja po përpiqet gjithashtu të verifikojë raportimet për dëme të pretenduara në Motahari Hospital në Teheran, si dhe në qendra emergjence mjekësore në Sarab, në veriperëndim të Iranit, dhe në një tjetër në provincën perëndimore të Hamadanit.
OBSH-ja ka një zyrë vendore në Iran dhe bashkëpunon me qeverinë për emergjencat shëndetësore dhe kontrollin e sëmundjeve. Ajo përpiqet të verifikojë sulmet ndaj sistemeve shëndetësore në mbarë botën, pa fajësuar ndonjë palë. (A2 Televizion)