Irani kurrë nuk ka komplotuar për të vrarë Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Këtë fakt e ka bërë të ditur Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, në një intervistë për median amerikane NBC News. Irani kështu ka hedhur poshtë pretendimet e kaluara të qeversië amerikane.
“Ne nuk kemi tentuar kurrë dhe nuk do ta bënim kurrë”, tha Presidenti i Iranit, përcjell A2.
Trump tha vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore në SHBA se Irani mund të ketë qenë pas përpjekjeve për ta vrarë atë. Trump, i cili fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA dhe do të marrë detyrën të hënën, i mbijetoi dy tentativave për vrasje gjatë fushatës, një në shtator ndërsa po luante golf në fushën e tij në West Palm Beach, Florida, dhe një tjetër gjatë një mitingu të korrikut në Butler, Pennsylvania.
Hetuesit nuk kanë gjetur asnjë provë për përfshirjen iraniane në asnjërën prej tyre. Irani gjithashtu ka mohuar më parë pretendimet e SHBA-së për ndërhyrje në çështjet amerikane, duke përfshirë edhe operacionet kibernetike.
Teherani thotë se Uashingtoni ka ndërhyrë në punët e tij për dekada, duke përmendur ngjarjet që variojnë nga një grusht shteti i vitit 1953 kundër një kryeministri e deri te vrasja e komandantit të tij ushtarak në vitin 2020, në një sulm me dron amerikan.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane, Abdul Rahim Mousavi u filmua në një vend të pazbuluar së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, duke njoftuar zgjerimin e arsenalit të dronëve të Teheranit: “Me lejen e Liderit Suprem, unë shpall urdhrin për shtimin e 1000 dronëve strategjikë në Organizatën e Përgjithshme Luftarake të Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit”. (A2 Televizion)