
Aktori amerikan Tom Skerritt, i cili luajti në serialin televiziv “Picket Fences” dhe filmat “Alien” dhe “Top Gun”, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Familja e tij njoftoi se ai vdiq të mërkurën nga shkaqe natyrore.
"Ndërsa bota e njihte Tomin përmes karrierës së tij të jashtëzakonshme si aktor, ne e njihnim atë për humorin, kuriozitetin, mençurinë, bujarinë dhe dashurinë që solli në jetën tonë", njoftoi familja.

Gjatë një karriere gjashtëdekadëshe, ai u shfaq në filmat Mash, A River Runs Through It dhe Ted. Ai gjithashtu bashkëthemeloi TheFilmSchool në Seattle për të mbështetur regjisorët dhe rrëfimtarët e gjeneratës së ardhshme.
Familja e tij tha se ai do të mbahet mend "për besimin e tij se historitë mund t'i ndihmojnë njerëzit të shërohen, të gjejnë qëllim dhe të krijojnë ndryshim".

Ylli i disa filmave të famshëm të shekullit të 20-të lindi në vitin 1933 në Detroit të Miçiganit dhe shërbeu në Forcat Ajrore të SHBA-së përpara se të ndiqte karrierën e aktrimit ku pati disa role ushtarake.
Ai bëri debutimin e tij në film në vitin 1962 së bashku me Robert Redford në filmin “War Hunt” dhe vite më vonë u ribashkua me Redfordin në dramën e vitit 1992 “A River Runs Through It”, ku luajti dhe Brad Pitt.

Roli i shquar i Skerritt erdhi kur ai luajti kirurgun e ushtrisë amerikane Duke Forrest në komedinë e Luftës Koreane të vitit 1970, "Mash", në të cilën luajtën gjithashtu Donald Sutherland, Elliott Gould dhe Sally Kellerman.
Filmi hit, i cili u publikua mes trazirave për Luftën e Vietnamit, u nominua për pesë çmime Oscar dhe u adaptua për televizion dy vjet më vonë.

Ai gjithashtu luajti përkrah Sigourney Weaver në filmin fantastiko-shkencor të vitit 1979, Alien, i cili fitoi dy nominime për Oscar.
Gjatë karrierës së tij, ai luajti përballë disa aktoreve kryesore femra.

Ai u shfaq me Shirley MacLaine në filmin e vitit 1977 “Turning Point” dhe luajti rolin e bashkëshortit të Sally Field në filmin “Steel Magnolias” të vitit 1989. Roli i tij i fundit ishte në filmin e vitit 2025 “Broke”.
Skerrit la pas gruan e tij të tretë, Julie, pesë fëmijë dhe disa nipër e mbesa. (A2 Televizion)