
Kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish protestuesit ditën e sotme për dialog. Në stolat cilindrikë prej guri përpara godinës së Kryeministrisë, të cilëve ua ka shtuar edhe disa jastëkë të kuq, kreu i qeverisë ka vendosur ftesat e dialogut. Në mesazhin e tij përmes një video mesazhi, kreu i qeverisë, Rama u shpreh i gatshëm për dialog dhe tha se e kaluara nuk ka asnjë shans të lthehet . sipas tij kush e mori peng kryeqytetin, duke eksportuar terrorin e Antifës do të përgjigjen para ligjit.
“Përsëri, e përsëri e përsëri, ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog, është këtu. Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend dhe në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë me e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta. Kundërshtia e dhunshme, me forcë, që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike, në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet.
Dhe kush e mori peng kryeqytetin, duke eksportuar terrorin e Antifës dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar, duhet ta dijë se do të përgjigjet ligjërisht, penalisht, sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkeljes së keqkuptimit të madh. Keqkuptim i madh ky që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli të tërë, një komuniteti të tërë, familjeve të zakonshme të këtij vendi që duan të shkojnë në punë, me gjuhën e gurit dhe të zjarrit.
Keqkuptim shumë i madh që do të kthehet në një mësim shumë të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe do të çojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij Bashkimi Europian, që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, tha Rama. (A2 Televizion)