Përplasjet në Kuvend, Sekretariati i Etikës shqyrton sot kërkesën e PS për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë

Nga A2 CNN
23 Tetor 2026, 07:56 | Politikë

Përplasjet në Kuvend, Sekretariati i Etikës shqyrton sot

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën i Kuvendit do të shqyrtojë sot në orën 10:00 kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për përjashtimin e 20 deputetëve të opozitës pas përplasjeve në seancën e djeshme plenare, shkruan A2 CNN.

PS ka kërkuar përjashtimin nga punimet me 60 ditë për deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi, të cilët u përplasën verbalisht dhe fizikisht me deputetët socialistë.

Ndërsa për 14 deputetë të tjerë të PD-së; Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi është kërkuar përjashtimi me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, përcjell A2 CNN.

Pas kësaj kërkesë të socialistëve reagoi kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi,  i cili e cilësoi këtë vendim si një akt të rëndë agresioni politik dhe një përpjekje për të heshtur opozitën, raporton A2 CNN.

Pavarësisht tensioneve, gjatë seancës së djeshme u miratuan gjashtë projektligje dhe tre projektvendime, mes tyre edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos