Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi ashpër pas vendimeve të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë për të njohur sot zyrtarisht shtetin palestinez. Në një deklaratë, ai tha se njohja e një shteti të tillë pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit “është një shpërblim i madh për terrorizmin”.
Netanyahu shtoi se “nuk do të ndodhë” dhe se një shtet palestinez nuk do të krijohet. Ai theksoi se për vite me radhë ka penguar themelimin e “këtij shteti terrorist”, siç e quan ai, edhe përkundër presionit ndërkombëtar, shkruan A2 CNN.
Kryeministri izraelit po ashtu deklaroi se Izraeli ka dyfishuar vendbanimet hebraike në Judea dhe Samaria dhe se do të vazhdojë këtë rrugë. Ai paralajmëroi një përgjigje ndaj “tentativës së fundit për të imponuar një shtet terrorist në zemër të vendit tonë” pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, ku do të marrë pjesë këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. (A2 Televizion)