Pasi fillimisht e përshëndeti njoftimin e HAMAS për pranimin e pikave kyçe të planit të Trump për Gazën, përfshirë lirimin e pengjeve, Presidenti amerikan ju rikthye sërish toneve kërcënuese.
“Veproni me shpejtësi ose bastet do të anulohen”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi më tej se nuk do të toleronte vonesa, shkruan A2.
“Le ta mbyllim shpejt”, u shpreh ai.
Të premten, Trump i dha ultimatum Hamasit të pranonte planin deri të dielën në orën 6 dhe Hamas u përgjigj se pranonte pjesët kryesore të tij, por se kërkonte negociata të mëtejshme për disa pika të veçanta.
Pas këtij njoftimi të Hamas, Trump deklaroi se paqja ishte e afërt dhe i kërkoi Izraelit të ndalte bombardimet në Gaza. Por, megjithëse ushtria e Netanjahut tha se kishin nisur përgatitjet për implementimin e fazës së parë të planit të Trump për paqen, sulmet nuk janë ndalur.
Siç raportohet, mbi 65 vetë u vranë në Gaza gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se negociatat mes Izraelit dhe Hamasit pritet të rinisin në Egjipt gjatë ditëve të ardhshme. (A2 Televizion)