BE-ja nuk mund të përballojë të financojë përpjekjet ushtarake të Ukrainës pasi ndihma financiare e SHBA-së nuk është më e garantuar; Kështu ka bërë të ditur kryeministri hungarez Viktor Orban, pasi udhëheqësit e 26 vendeve të BE-së nënshkruan një deklaratë duke shprehur mbështetje për Ukrainën pa Hungarinë.
Orban, një aleat i Presidentit të SHBA Donald Trump, i cili po kultivon gjithashtu lidhje me Moskën, i tha radios shtetërore se qeveria e tij do të nisë një "konsultim publik" për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian në javët e ardhshme, shkruan A2 CNN.
“Nëse një luftë ka vazhduar për 3 vjet dhe 26 shtete evropiane dhe SHBA mbështesin së bashku Ukrainën dhe ende rusët po fitojnë në vijën e parë të frontit, dhe tani SHBA largohet nga financimi i luftws, pse 26 shtetet e tjera anëtare do të kishin një shans për t'i dhënë fund luftës? Kjo është një pyetje për të cilën nuk ka përgjigje. Pra thjesht, nuk ka asnjë bazë racionale për qëndrimin e 26 shteteve evropiane.
Nëse ju thoni se lufta duhet të vazhdojë, atëherë dikush duhet ta financojë atë. Tani që amerikanët u larguan do të na kushtojë shumë, nëse evropianët duan të vazhdojnë kështu, atëherë qindarka jonë e fundit do të shpenzohet për këtë luftë. Është një gjë e bukur të ndihmosh dhe ukrainasit kanë nevojë për ndihmë, por ne nuk mund t'i ndihmojmë nëse rrënohemi ndërkohë. Sipas mendimit tim, anëtarësimi i Ukrainës në BE sot do të thoshte se Evropa do të rrënohej, bashkë me të edhe ekonomia hungareze. Dhe ky proces duhet të ndalet me kohë”, tha Orban. (A2 Televizion)