Donald Trump po “humbet durimin” me Elon Musk, sipas një raporti në Wall Street Journal , i cili dokumenton reagimin e Shtëpisë së Bardhë ndaj kritikave publike të miliarderit të Tesla për projektligjin e buxhetit të presidentit amerikan.
Sipas WSJ, si Trump ashtu edhe zyrtarët e administratës së tij u kapën në befasi nga kritikat e fundit të Musk për projektligjin e presidentit amerikan, të cilin ai e përshkroi si “skandaloz, të neveritshëm dhe një parodi”.
Ajo që thuhet se e ka habitur edhe vetë Trump, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, ishte fakti që Elon Musk ka punuar ngushtë me stafin e presidentit amerikan gjatë katër muajve të fundit.
Musk duket se është jashtëzakonisht i bezdisur, sipas gazetës amerikane, nga vendimi për të tërhequr kandidaturën e Jared Isaacman për pozicionin e kreut të NASA-s, me këtë veprim që nxiti kritikat e ashpra e të ashtuquajturit “z. X” për projektligjin e buxhetit.
"Musk është ankuar te bashkëpunëtorët se ndërsa dha qindra miliona dollarë në donacione për të ndihmuar Trumpin të zgjidhej President, ai pa të nominuarin e tij për NASA-n të mos zgjidhej në krye të saj”, raporton WSJ.
Musk thotë se projektligji i buxhetit, propozuar nga Trump do të rrisë shpenzimet publike dhe deficitin, madje u bëri thirrje 200 milionë ndjekësve të tij në ‘X’ të mërkurën në mbrëmje që të bënin presion mbi senatorët dhe kongresmenët që ta “rrëzojnë projektligjin”. (A2 Televizion)