Është e pasigurt nëse Izraeli ka kryer krime të mirëfillta lufte në Rripin e Gazës. Kështu është shprehur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për prestigjiozen britanike, Times. Që në fillim të luftës, citon Times, administrata e Joe Biden e dinte se Izraeli po shkelte rregullat e luftës. Ndërkohë shqetësim për Biden mbetet periudha e pasluftës për të cilën ka mosmarrëveshjet më të mëdha me Benjamin Netanyahun.
"Çfarë do të ndodhë? A do të kthehen forcat izraelite? Unë fola me egjiptianët, sauditët, jordanezët, emirate, përgjigja e tyre është se nëse përfundon kështu nuk mund të funksionojë. Duhet të ketë një zgjidhje me dy shtete, një kalim në një zgjidhje me dy shtete. Kjo është çështja për të cilën unë nuk pajtohem më shumë me Netanyahun”, tha Biden.
Në intervistën për Times, presidenti amerikan Joe Biden shton se Nentanyahu "është i gatshëm të bëjë gjithçka për të sjellë pengjet në shtëpi". Nga transkripti i intervistës del edhe përgjigjja e plotë e pyetjes për mundësinë që kryeministri izraelit ta zgjasë luftën për arsye mbijetese politike: “Nuk do të komentoj. Sigurisht që është e arsyeshme të arrijmë në këtë përfundim”, përfundoi Biden.
Sakaq, zgjidhjen e konfliktit me dy shtete e ka mbështetur edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, iu cili në një telefonatë me Kryeministrin e shtetit hebre, Benjamin Netanyahu, konfirmoi nevojën për ndaljen e luftimeve në Gaza pasi kjo e fundit duhet të jetë pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez.
Në bisedë telefonike, kreu i Elysee i kërkoi gjithashtu Hamasit, "përgjegjësia e të cilit është dërrmuese", të pranojë marrëveshjen e armëpushimit të vënë në tryezë nga presidenti amerikan Joe Biden.
Sakaq, lufta në dy fronte për Izraelin po shfaqet në horizont. Numri dy i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi libanez ka vendosur të mos zgjerojë fushën e operacioneve të tij, por është gati ta bëjë këtë nëse detyrohet.
Duke folur për Al Jazeera, Qassem tha se "Hezbollahu është gati për betejë dhe nuk do të lejojë që Izraeli të arrijë ndonjë fitore". “Nëse Izraeli dëshiron të luftojë gjithëpërfshirëse, ne jemi gati", theksoi ai. (A2 Televizion)