“Çrrënjosja” e jetës suaj dhe lëvizja në një qytet krejtësisht tjetër për punë nuk është gjithmonë një vendim i lehtë. Ka shumë faktorë për t'u marrë parasysh, ku padyshim vështirësitë ekonomike luajnë një rol kryesor. Mirëpo, cili qytet ndërkombëtar është më i shtrenjti në botë për emigrantët?
Hong-Kongu ka marrë edhe një herë titullin e qytetit më të kushtueshëm për emigrantët në Anketën e Kostos së Jetesës “Mercer 2024”, e cila u publikua, këtë të hënë.
Qyteti aziatik, i cili kryesoi gjithashtu listën vjetore në 2022 dhe 2023, u ndoq nga Singapori, në vendin e dytë.
Pjesa më e madhe e pjesës tjetër të top 10 u zu nga qytetet zvicerane, me Zyrihun, Gjenevën, Bazelin dhe Bernën që renditen respektivisht në vendin e tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë.
Raporti shqyrtoi 226 qytete bazuar në koston krahasuese të mbi 200 artikujve në secilin vend, duke përfshirë transportin, ushqimin, veshjet, mallrat shtëpiake dhe argëtimin.
Nju-Jorku ishte qyteti më i shtrenjtë në SHBA, duke zënë vendin e shtatë, ndërsa kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar Londra, renditet në vendin e tetë. (A2 Televizion)