Nuk ka paqe në Gaza, mbyllen spitalet kryesore, banorët zhvendosen në masë

Nga Erjon Dervishi
9 Korrik 2024, 19:08 | Bota

Nuk ka paqe në Gaza, mbyllen spitalet kryesore, banorët zhvendosen

Gjendja në Rripin e Gazës nuk po gjen rrugëzgjidhje. Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria izraelite ka bombarduar qytetin e Gazës ndërsa mijëra palestinezë të arratisur kërkonin strehim dhe spitalet u detyruan të mbylleshin në ofensivën e fundit në veri të territorit.

Sulmi i ri tokësor i Izraelit në qytetin më të madh të Gazës është përpjekja e tij e fundit për të luftuar militantët e Hamasit të rigrupuar në zonat që ushtria më parë tha se ishin pastruar.

Pjesë të mëdha të qytetit të Gazës dhe zonave urbane përreth tij janë rrafshuar ose lënë një peizazh të shkatërruar pas nëntë muajsh luftime. Pjesa më e madhe e popullsisë iku më herët gjatë luftës, por disa qindra mijëra palestinezë mbeten në veri.

Banorët vendas theksojnë se avionët luftarakë izraelitë dhe dronët "po godasin çdo gjë që lëviz" dhe se tanket kishin lëvizur në rrethet qendrore të Rafah dhe Gazës.

Në nëntë muajt e fundit, trupat izraelite kanë pushtuar të paktën tetë spitale, duke shkaktuar vdekjen e pacientëve dhe punonjësve mjekësorë së bashku me shkatërrimin masiv të objekteve dhe pajisjeve.

Sakaq, Hezbollahu është tronditur nga një sulm i beftë izraelit i cili vrau ish-truproje personale të liderit të Hezbollahut. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i grupit militant libanez.

Lajmi erdhi disa orë pasi një sulm izraelit me dron në një makinë në Siri pranë kufirit Siri-Liban u raportua nga mediat pro qeveritare në Siri. Zyrtari i Hezbollahut foli në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret, citon Assosiated Press.

Që nga tetori sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë mbi 450 njerëz, shumica e të cilëve luftëtarë të Hezbollahut, por të vdekurit përfshijnë gjithashtu më shumë se 80 civilë dhe joluftëtarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos