“Izraeli nuk do të ndalë luftën në Rripin e Gazës, deri në shkatërrimin përfundimtar të Hamasit”. Kështu është shprehur Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë të tij si kundërpërgjigje për artikullin e prestigjiozes amerikane “New York Times”, e cila theksonte se udhëheqja ushtarake e Izraelit dëshiron një armëpushim me Hamasin nëse shpërthen një luftë më e madhe në frontin e saj verior me Libanin.
"Zyrtarë të paidentifikuar kanë informuar New York Times, se Izraeli do të jetë i gatshëm t'i japë fund luftës përpara se të arrijë të gjitha qëllimet e saj. Nuk e di kush janë ata zyrtarë të paidentifikuar, por unë jam këtu për të thënë pa mëdyshje se ne do t'i japim fund luftës vetëm pasi të arrijmë të gjitha qëllimet e saj, duke përfshirë eliminimin e Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve tona. Ne nuk dorëzohemi para erërave të disfatës, as të New York Times dhe as askund tjetër”, tha Netanyahu.
Komentet e Netanuyahut vijnë ndërsa forcat izraelite po intensifikojnë fushatën ushtarake në Gazën jugore, duke larguar mijëra palestinezë nga shtëpitë e tyre, në atë që mund të jetë pjesë e një shtytjeje përfundimtare të operacioneve intensive ushtarake të Izraelit në nëntë muaj lufte. Sakaq, forcat izraelite bombarduan disa zona të Rripit jugor të Gazës. Tetë palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën, thanë zyrtarët shëndetësorë gjatë 24 orëve të fundit.
Udhëheqësit izraelitë kanë thënë se po mbyllin fazën e luftimeve intensive kundër Hamasit, grupit islamik që ka qeverisur Gazën që nga viti 2007, dhe së shpejti do të kalojnë në operacione më të detajuara. Ndërkohë, një tjetër alarm vjen nga Uashingtoni. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë të ditur për mediat se, "Lufta mund të shpërthejë në Liban pavarësisht se asnjëra nga palët nuk e dëshiron atë."
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e tha këtë, duke përsëritur besimin e tij se Izraeli nuk dëshiron një luftë në Liban, ndërsa pranoi se "mund të jetë gati të bëjë një luftë nëse është e nevojshme - nga këndvështrimi i tyre - për të mbrojtur interesat e tyre". Sipas kreut të diplomacisë amerikane, as Hezbollahu nuk do luftë apo Libani, sepse do të ishte viktima e parë.
(A2 Televizion)