Kandidati i partisë së ekstremit të djathtë francez Fronti Kombëtar për presidencën e Francës do të jetë kreu i saj, Jordan Bardella, nëse ndodh që mentorja e tij dhe udhëheqësja historike e partisë, Marine Le Pen , përfundimisht të skualifikohet dhe të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Në një intervistë të shtunën për gazetën Le Parisien, Bardella tha se nëse Le Pen nuk ia del të kandidojë për zgjedhjet e 2027, ai do ta pasojë atë vetë, sigurisht me mbështetjen e saj.
Le Pen, e cila konsiderohet si "fytyra" e ekstremit të djathtë francez, pësoi një goditje të rëndë në fund të marsit kur u dënua, së bashku me anëtarët e tjerë të partisë së saj, në rastin e punëve të rreme në Parlamentin Evropian.
Ajo u dënua me pesë vjet heqje të të drejtave politike, katër vjet burg dhe 100 mijë euro gjobë, pasi gjykata vendosi se ajo ishte në “epiqendrën” e sistemit të shpërdorimit të fondeve publike me të cilin, ndërmjet viteve 2004 dhe 2016, punonjësit e partisë paguheshin me fondet e Parlamentit Europian.
Le Pen shpreson se Apeli do të dëgjohet shpejt dhe do të rrëzojë ose modifikojë dënimin, duke e lejuar atë të kandidojë për postin e Presidentit.
Megjithatë, Bardella, i cili është vetëm 29 vjeç dhe konsiderohet si “i përkëdheluri” i Le Pen ose “biri” i saj në politikë, gjatë intervistës së tij këmbënguli se ai do të jetë kandidati i Frontit Kombëtar për presidencën nëse ajo nuk mund të kandidojë.
“Nuk ka dyshim që Marine Le Pen është kandidatja jonë, por nëse ajo nuk mund të jetë kandidate, mendoj se mund t'ju them se do të jem kandidati i saj”, tha ai për gazetën. "Nuk mund të jem më i qartë se kaq”, shtoi Bardella, duke theksuar "nevojën e domosdoshme për të qenë të bashkuar". (A2 Televizion)