Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shfuqizuar një vendim kyç shkencor të miratuar në vitin 2009 gjatë administratës së Barack Obama, i cili shërbente si bazë ligjore për kufizimin e gazrave serrë, shkruan A2 CNN. Përmes tij, disa gazra që ngrohin planetin përkufizoheshin si rrezik për shëndetin publik.
Vendimi ka qenë themeli i politikave federale për uljen e emetimeve, veçanërisht në sektorin e automjeteve. Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë hap si “deregullimin më të madh në historinë amerikane”, duke pretenduar se do të ulë koston e makinave dhe shpenzimet për prodhuesit me rreth 2400 dollarë për automjet.
Organizatat mjedisore e kanë kritikuar vendimin duke e cilësuar si tërheqjen më të madhe nga politikat kundër ndryshimeve klimatike dhe paralajmëruan se do ta sfidojnë në gjykatë. Ndërkohë, Obama reagoi duke thënë se shfuqizimi i këtij vendimi do t’i bëjë amerikanët “më pak të sigurt dhe më pak të aftë për të luftuar ndryshimet klimatike”. (A2 Televizion)