Popullsia e Rripit të Gazës është në rrezik të madh. Ky është parlajmërimi që bëri ditën e sotme kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, teksa theksonte se uria dhe dëshpërimi po përkeqësohen në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.
OBSH bëri po ashtu të ditur se ka dërguar furnizime mjekësore në dy spitale të martën, në pjesët veriore dhe jugore të enklavës palestineze, pasi 21 nga 36 spitalet në Rripin e Gazës tani janë jashtë funksionit .
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime urgjente për të zvogëluar rrezikun serioz për popullin e Gazës. Po ashtu, ai kërkoi që t’u jepet më shumë akses organizatave për të ndihmuar banorët që po vuajnë nga traumat, uria akute dhe rreziku i sëmundjeve të rënda.
Në një deklaratë, agjencia e OKB-së tha se ekipi i saj raportoi të martën nevojën për ushqim që mbetet akute në të gjithë Rripin e Gazës.
“Njerëzit e uritur bllokuan kolonën tonë me shpresën për të gjetur ushqim”, njoftoi OBSH.
"Aftësia e OBSH-së për të ofruar ilaçe, furnizime mjekësore dhe karburant në spitale është gjithnjë e më e kufizuar nga uria dhe dëshpërimi i njerëzve...”
Rezoluta e miratuar javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, bën thirrje për dërgimin të menjëhershëm dhe në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare në Gaza.
Megjithatë, gjetjet e OBSH-së në terren tregojnë se rezoluta për fat të keq nuk ka pasur asnjë efekt për momentin. (A2 Televizion)