Vaksinat kundër COVID-19 kanë shpëtuar të paktën 1.4 milionë jetë në Evropë. Lajmi është bërë me dije nga kreu rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Hans Kluge.
"Sot, 1.4 milionë jetë në rajonin tonë - shumica e tyre të moshuar - mund të shijojnë jetën me të dashurit e tyre sepse ata morën vendimin jetik për t'u vaksinuar kundër COVID-19," tha ai në një konferencë për shtyp në internet.
Ai vuri theksin edhe te dozat përforcuese.
"Vetëm dozat e para përforcuese shpëtuan rreth 700,000 jetë ," theksoi Kluge.
Gjatë dimrit, është kritike që njerëzit të mbrohen, veçanërisht ata më të rrëzikuarit, vuri në dukje ai.
“Ndërsa mësojmë të jetojmë me COVID-19 dhe infeksione të tjera të frymëmarrjes, është absolutisht jetike që grupet më vunerabël të jenë të qëndrueshme në vaksinimet e tyre kundër COVID-19 dhe gripit”, theksoi Kluge.
Sipas të dhënave të OBSH- së më 19 dhjetor 2023, në Europë u regjistruan më shumë se 277.7 milionë raste të COVID-19. (A2 Televizion)