Lufta po futet thellë në Rusi. Forcat e armatosura ukrainase kanë lëshuar një sulm të fuqishëm ndaj infrastrukturës energjetike pranë qytetit Vladimir. Zyrtarët lokalë të asaj zone në Rusinë perëndimore thonë se dronët kanë frikësuar banorët, por nuk ka patur të lënduar. Kievi ka sulmuar edhe rajone të tjera, si Orel, si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve masive që lanë në errësirë miliona njerëz.
Ushtria e Putinit njoftoi se ka rrëzuar 130 dronë brenda Rusisë. Forcat e Moskës kanë lëshuar një sulm të rëndë gjatë natës në Sumi të Ukrainës, duke plagosur 11 persona, mes të cilëve dhe 4 fëmijë. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa nata u ndriçua nga flaka e shpërthimeve. Një central bërthamor u detyrua të zvogëlonte kapacitetin e tij operativ. Gjatë sulmit të kombinuar rus në sektorin e energjisë së Ukrainës natën e 30 tetorit, disa nënstacione që janë kritike për sigurinë bërthamore në Ukrainë u dëmtuan, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Ndërkohë, tashmë është zbuluar edhe arsyeja e dështimit të takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, në Hungari, ku pritej t’i jepej fund luftës. Financial Times raporton se Shtetet e Bashkuara anuluan tryezën e rëndësishme pasi Moska kishte paraqitur kërkesa të papranueshme për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.
Disa burime të medias në fjalë, theksojnë se qëndrimi i Rusisë ishte shumë i ashpër dhe nuk kënaqte Uashingtonin. Vendimi për të anuluar takimin bilateral në Budapest ishte vulosur pas telefonatës së shkuar keq dhe me tone të ashpra mes sekretarit të shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov. (A2 Televizion)
