Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka thënë se beson se 47 persona u plagosën në Gaza të martën, kur turmat mbushën një qendër shpërndarjeje ndihmash të drejtuar nga një grup i ri kontrovers i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli.
Sipas mediave të huaja, një zyrtar i lartë tha se OKB-ja po mblidhte ende informacione, por sipas tij, shumica e lëndimeve ishin për shkak të të shtënave me armë zjarri dhe se "të shtënat po bëheshin nga IDF [Forcat Mbrojtëse të Izraelit]".
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se një person u vra dhe 48 të tjerë u plagosën, shkruan A2 CNN.
IDF tha se po verifikonte raportet. Një zëdhënës tha se trupat qëlluan "të shtëna paralajmëruese" në ajër në zonën jashtë vendndodhjes së Fondacionit Humanitar të Gazës, në qytetin jugor të Rafah, por sipas tij, ata nuk qëlluan drejt njerëzve.
Sistemi i shpërndarjes së ndihmave i GHF përdor kontraktorë sigurie amerikanë dhe anashkalon OKB-në, e cila e ka hedhur poshtë atë si joetik dhe të pafunksionueshëm.
Qeveritë e SHBA-së dhe Izraelit kanë thënë se po parandalojnë vjedhjen e ndihmës nga Hamasi, gjë që grupi i armatosur e mohon ta ketë bërë, shkruan A2 CNN.
Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar se popullsia prej 2.1 milionë banorësh e Gazës po përballet me nivele katastrofike të urisë pas një bllokade pothuajse tre-mujore izraelite që u lehtësua javën e kaluar. (A2 Televizion)