"Bëhuni shteti ynë i 51", Trump: Kushti nëse Kanadaja do jetë pjesë e "kupolës së artë"

Nga Erjon Dervishi
28 Maj 2025, 12:17 | Bota

Donald Trump ka një propozim për fqinjin verior Kanadanë, jepni sovranitetin tuaj dhe në do ju pajisim me “Kupolën e Artë”. Në një reagim të tij, pas interesimit të Kanadasë për projektin e mbrojtjes ajrore të SHBA-së, Donald Trump ka thënë se do t’i kushtonte Kanadasë 61 miliardë dollarë të ishte pjesë e mburojës së tij ambicioze të mbrojtjes nga raketat “Kupola e Artë”.

Sipas Trump mbrojtja ajrore do të ishte falas nëse Otava do të hiqte dorë nga sovraniteti i saj për t’u bërë shteti i 51-të i SHBA-së.

“I thashë Kanadasë, e cila dëshiron shumë të jetë pjesë e Sistemit tonë të mrekullueshëm të Kupolës së Artë, se do të kushtojë 61 miliardë dollarë nëse mbetet një komb i veçantë, por i pabarabartë, por do të kushtojë ZERO DOLLARË nëse bëhet shteti ynë i 51-të i dashur”, shkroi presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social të martën. “Ata po e shqyrtojnë ofertën”! tha Trump.

Një zëdhënës i Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, tha se: “Kryeministri ka qenë i qartë në çdo rast, përfshirë edhe në bisedat e tij me presidentin Trump, se Kanadaja është një komb i pavarur dhe sovran dhe do të mbetet i tillë.”

SHBA-ja dhe Kanadaja kanë një marrëveshje mbrojtjeje, Komandën e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut, e cila përfshin zbulimin e sulmeve me raketa balistike. Përgjegjësitë e Kanadasë në Norad kanë ardhur në qendër të vëmendjes, ndërsa Rrethi Arktik shfaqet si vija e re e frontit në një garë gjeopolitike me Rusinë dhe Kinën.

Zëdhënësi i Carney shtoi se kryeministri po “zhvillonte diskutime të gjera dhe konstruktive” me homologët amerikanë, që “përfshijnë forcimin e Norad dhe iniciativave të lidhura me të, të tilla si Golden Dome”.

Carney u tha gazetarëve javën e kaluar se pjesëmarrja e vendit të tij në Kupolën e Artë "është diskutuar në një nivel të lartë", megjithëse ai nuk do të "vendoste një çmim" për përfshirjen e saj.  

Ka të ngjarë që Kanadaja do të duhet të përfshihet në “Kupolën e Artë” në një farë mënyre, duke marrë parasysh se një raketë balistike ndërkontinentale e lëshuar nga Rusia, një nga kërcënimet që mburoja do të ishte projektuar të kapte - do të fluturonte mbi Kanadanë veriore për të arritur në SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos